Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, në vazhdën e takimeve nëpër rajonet e Kosovës ka zhvilluar sot në Gjilan një takim me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së këtij rajoni.
Ministri Hyseni fillimisht theksoi se këto takime po bëhen me qëllim që të gjithë së bashku të angazhohen në një fushatë proaktive në mënyrë që të punohet sa më shumë në parandalimin e trafikimit me njerëz dhe parandalimin e lypsarëve.
Ministri Hyseni vuri në dukje se trafikimi me qenie njerëzore është një problem që po na përsëritet dhe përveç ndërhyrjeve që bënë Policia e Kosovës ka nevojë për një angazhim të spektrit më të madh shoqëror, social dhe politik.
“Problem e kemi edhe përdorimin e narkotikëve, ku kryesisht janë të përfshirë grupmoshat shkollore dhe është duke marrë përmasa shqetësuese. Ne duhet të gjithë së bashkë që të punojmë nënë parandalimin e konsumit të drogave në mënyrë që Policia e Kosovës të merret vetëm me personat që trafikojnë drogë”, theksoi ministri Hyseni.
Sa i përket radikalizmit të dhunshëm që shpi në terrorizëm, ministri Hyseni tha se në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës, qe 11 muaj nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave. Parandalimi i këtij fenomeni është bërë falë bashkëpunimit që kemi bërë bashkërisht edhe ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimin të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja.
Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Gjilanit u vlerësua shumë e mirë dheu konstatua se në bazë të takimeve me këshillat komunale për siguri është bërë një punë shumë e mirë në parandalim.