Kosova duhet të insistojë në që fletarrestet e lëshuara nga Serbia për “figura të mëdha”, siç është rasti i Ramush Haradinajt, të hedhen poshtë.
Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, pas takimit që kishte me homologun e tij austriak Wolfgang Sobotka.
Ai përsëriti se fletarrestet e lëshuara nga Serbia janë krejtësisht absurde dhe të paligjshme.
Hyseni tha se dialogu përveç që nuk ka alternativë dhe duhet të vazhdojë, mirëpo sipas tij veprimet arbitrare të Serbisë, e dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme dialogun, por edhe çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Kjo praktikë duhet të ndërpritet, sepse derisa dialogu nuk ka alternativë dhe duhet të vazhdojë. Mirëpo, këtë dialog dhe çfarëdo përpjekje për normalizim mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme, veprimet arbitrare që Republika e Serbisë i bën në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Me këtë rast, Hyseni tha se Sobotka dhe Austria e përkrahin Kosovën në përpjekjet e saja për të vendosur rend dhe ligj.
“Kosova dhe Austria janë partnerë strategjikë dhe ky partneritet do të vazhdojë të thellohet dhe të forcohet edhe më tej në të gjitha fushat, e në veçanti në fushën e rendit dhe ligjit përkatësisht bashkëpunimit policor”.
Hyseni më tej tha se Austria ka ndihmuar dhe përkrahur shumë Policinë e Kosovës më programe të ndryshme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga ana e tij, Sobotka tha se bashkëpunimi i ndërsjellë do të thellohet edhe më shumë dhe se shteti nga ai vjen do të ndihmojë Kosovën për anëtarësimin në organizata të ndryshme policore dhe në aspekte tjera të sigurisë.
“Bashkëpunimi me Kosovën në fushën e policisë po funksionon shkëlqyeshëm. Mendoj se kemi arritur te vendimi i rëndësishëm në këtë aspekt, që është çështja e shkëmbimit të të dhënave që do të shërbejnë për parandalimin e kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar”.