Hyseni: Shqetësuese, ekstremizmi i dhunshëm po përfundon me akte terroriste

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 11:18 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni në Seminarin e NATO-s në Prishtinë, ka folur për dukurinë e zhvillimit të ekstremizmit dhe terrorizmit në përgjithësi. Hyseni ka theksuar se ekstremizmi i dhunshëm përfundon me akte terroriste, e që sipas tij, po bëhet shumë shqetësues ky fenomen.

Ai ka thënë se manipulimet ekstremiste po vijnë për qëllime politike dhe përfituese të tyre, ndërsa theksoi se ekstremizmi nuk është vetëm problem vendor, por nacional.

“Ekstremizmi i dhunshëm, i cili shpesh herë përfundon në akte terroriste, radikalizmi i shoqërive të ndryshme tashmë janë probleme të gjithë botës. Nuk janë më probleme për një vend, por janë probleme transnacionale dhe rrjedhimisht kërkojmë një bashkëpunim ndërkombëtarë nëse duam të jemi të suksesshëm në luftimin e këtij fenomeni”.

Hyseni duke folur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s Rose-Roth që po mbahet në Prishtinë ka përmendur edhe sulmin e 11 shtatorit në Kullat Binjake në New York.

“Më 11 shtator me rastin e sulmeve në kullat binjake kishte një perceptim se më shumë ka të bëjë me Amerikën, e që ishte ky një gabim i madh. Historia doli se aktet terroriste ishin dëshmi e ekstremizmit. Manipulimi i këtyre doktrinave për qëllime të ndryshme janë shqetësuese”, theksoi Hyseni.

Hyseni ka folur edhe për ekstremizmin e dhunshëm dhe praninë e tij në vendin tonë, duke thënë se Kosova ka arritur sukses në luftimin e këtij fenomeni.

“Në Kosovë ka një vit që kemi aprovuar Strategjinë Kombëtare për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, kemi aprovuar edhe Ligjin për ndalimin e shkuarjes së kosovarë në luftëra të huaja. Në një vit nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve në konflikte të jashtme. Në fund të muajit shtator, kemi gjashtë raste, dy i kemi konfirmuar se kanë arritur të shkojnë përmes rrugëve të ndryshme”, tha ai.

“Nuk përjashtojmë mundësinë që ndonjë i radikalizuar të gjejë rrugë të treta, sidoqoftë rezultate janë të prekshme dhe të dukshme dhe janë rezultat i Strategjisë Nacionale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm përkatësisht planit të veprimit të kësaj strategjie”, theksoi Hyseni.

Ai ka thënë se Kosova ka demonstruar se pothuajse askush tjetër më shumë në Ballkanin Perëndimor gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme