I akuzuari për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Kujtim Daçaj është dënuar me 3 vite e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në luftërat me ISIS.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e akuzonte Daçajn se ka shkuar në Siri dhe iu është bashkëngjitur luftërave të organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, si dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Daçaj në këtë dënim me burgim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, gjykatësja Musliu-Selimaj ka thënë se i akuzuarit lirohet nga shpenzimet e procedurës penale për shkak të gjendjes së tij ekonomike.
Tutje, ajo ka shtuar se me shpalljen e këtij aktgjykimi, gjykata ka marrë për bazë edhe rrethanat për zbutjen e dënimit.
Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 24 janar 2022, i akuzuari Daçaj kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditësh.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 dhjetor 2021, i akuzuari Kujtim Daçaj, me dashje, së bashku me bashkëshorten e tij Valdete Tafaj dhe vajzën e tij, më 5 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit ka dalë nga Kosova dhe ka shkuar në Maqedoni dhe nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar për në Turqi e pastaj për në Siri, ku iu është bashkëngjitur luftërave të organizatës terroriste, militante ekstremiste ISIS, si dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate terroriste.
Tutje thuhet se, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka marrë pjesë me qëllim që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane që të lë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe pastaj të krijojnë shtetin Islamik, Iraku dhe Levant, derisa ISIS-i ka pësuar disfatë të plotë.
Sipas aktakuzës, i njëjti është burgosur nga forcat demokratike Siriane, kurse më 17 korrik 2021 në mënyrë të organizuar është transferuar në Kosovë.
Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, para 2 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej pesë deri në 10 vjet.