I dërguari i Trumpit në Lindjen e Mesme kritikon rrjedhjen e informacionit të klasifikuar nga Irani: Objektet bërthamore u shkatërruan

Prishtinë | 25 Qer 2025 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i Presidentit të SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka reaguar ashpër ndaj rrjedhjes së informacionit të klasifikuar të inteligjencës amerikane, i cili sugjeron se dëmet nga sulmet ajrore të së shtunës në tri objekte bërthamore iraniane kanë qenë të kufizuara.

Në një intervistë për “Fox News”, të martën në mbrëmje, Witkoff e cilësoi rrjedhjen si “tradhti”.

Burime për CNN kanë deklaruar se programi bërthamor i Iranit është penguar vetëm për disa muaj, pavarësisht përdorimit të 14 bombave të mëdha “bunker buster” në sulm.

Analiza e plotë e dëmeve në terren dhe ndikimi real i sulmeve ndaj ambicieve bërthamore të Iranit mbetet në proces dhe mund të ndryshojë me avancimin e hetimeve.

“Është e vetëkuptueshme që rrjedhja e një informacioni të tillë, çfarëdo qoftë përmbajtja apo platforma ku publikohet, është e turpshme dhe tradhti ndaj vendit”, deklaroi Witkoff në “Fox News”.

“Duhet të hapet një hetim dhe kushdo që është përgjegjës për këtë duhet të mbajë përgjegjësi”, shtoi ai.

Objekti i pasurimit të uraniumit në Fordow në Iran, pasi u godit nga sulmet ajrore amerikane
Objekti i pasurimit të uraniumit në Fordow në Iran, pasi u godit nga sulmet ajrore amerikane
Sipas raportimeve të CNN, dy nga burimet e informuara mbi vlerësimin e inteligjencës konfirmuan se stoku i uraniumit të pasuruar të Iranit nuk është shkatërruar.

Njëri prej tyre theksoi se “centrifugat janë në pjesën më të madhe të paprekura”, ndërsa një tjetër burim tha se uraniumi i pasuruar ishte zhvendosur nga objektet përpara sulmeve amerikane.

Presidenti Trump, të martën, e hodhi poshtë raportin duke e cilësuar si “lajm të rremë”, ndërsa Steve Witkoff e quajti raportimin “krejtësisht të pakuptimtë”.

“Nuk ka asnjë dyshim që aftësitë bërthamore të Iranit u shkatërruan. Raportimet që sugjerojnë të kundërtën janë thjesht absurde,” deklaroi Witkoff për “Fox News”.

Të ngjashme