I ekstraduari nga Italia dënohet me 14 vjet burgim për grabitjen në bastore që përfundoi me vrasje

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari, Blerim Nokaj, është dënuar me 14 vjet burgim dhe 4 mijë euro gjobë pasi që është gjetur fajtor për grabitjen e vitit 2013 në një bastore sportive në Gjakovë, ku si pasojë kishte vdekur një person.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, dënimin me gjobë i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj gjobën, e njëjta do t’i zëvendësohet në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 200 ditësh.

Të akuzuarit në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kompensimit të dëmit.

Gjykatësi Zika tha se pas administrimit të të gjitha provave kanë ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit formohen të gjitha elementet e veprës penale me të cilën ngarkohet.

Nokaj ishte ekstraduar në Kosovë nga Italia në gusht të vitit 2020. Në Itali sipas raportimeve ai prezantohej rrejshëm si shtetas francez.

Ndryshe, në këtë rast, për grabitje në bashkëkryerje ka qenë i akuzuar edhe Fuat Gjevukaj, mirëpo ndaj të njëjtit Prokuroria në Gjakovë e kishte rikualifikuar veprën penale në “ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes” dhe me të njëjtin kishin lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

E këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Gjakovë, e cila kishte shqiptuar dënim prej 6 vjet e 6 muaj burgim ndaj të akuzuarit Gjevukaj.

Sipas aktakuzës së pandryshuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Blerim Nokaj dhe Fuat Gjevukaj ngarkohej me veprën penale “grabitje” nga neni 329, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Vepër kjo për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Sipas aktakuzës, më 9 qershor 2013, rreth orës 12:10, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, pikërisht në një bastore sportive, pronë e Nijazi Beqirit, me përdorimin e forcës për të sulmuar jetën e të dëmtuarit Flamur Ponosheci, përvetësojnë para në shumë prej 2 mijë euro, shkruan BetimipërDrejtësi .

Siç thuhet në aktakuzë, grabitja ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit kanë shkuar të luajnë në aparatin e lojërave të fatit dhe me mjet të fortë dhe të rrezikshëm e kanë goditur në kokë të dëmtuarin dhe pastaj të dytë kanë sulmuar me mjete të forta, duke e goditur disa herë në kokë, ku i dëmtuari është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen dhe nga xhepat e pantallonave kanë marrë të hollat dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë me 28 qershor 2013.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme