Ibishi: Policia po harxhon kohë e energji për arrestimin e personave të dyshuar, gjyqësori me masa të lehta

Prishtinë | 15 Gus 2023 | 08:35 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës pas vrasjeve të ditëve të fundit ka ndërmarr aksione të kontrollimeve të automjeteve, lokaleve e bastisje të ndryshme, ku si rezultat i saj janë arrestuar një numër i konsiderueshëm i personave dhe janë konfiskuar me dhjetëra armë, raporton Ekonomia Online.

Të gjitha këto veprime të Policisë nga njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, po cilësohen të duhura dhe të ndërmarra me kohë.

Ai shtoi se Policia në të ardhme do të duhet që të ketë më shumë kujdes në marrjen e  masave parandaluese në mënyrë që të mos përballemi me këto pasoja.

“Unë mendoj se Policia ka ndërmarr me kohë duke pas parasysh në aspektin se gati kjo u paraqit si dukuri, pas tri rasteve seri me pasoj të rënda të vrasjeve edhe plagosjeve të shumë qytetarëve në këto tri vende në hapësira publike. Kjo tregoj se duhet të ndërmerret diçka, veprimet operativo taktike duke filluar prej bastisjeve, deri te kontrollet e shtuara qoftë personale edhe ato në post blloqe edhe në lokale publike, ku janë marr masat me qëllim që ky trend në rritje i këtyre rasteve të zvogëlohet”. 

Sipas tij, në këtë rast do të duhet që të ketë më shumë bashkëpunim ndërmjet Policisë, Prokurorisë e gjyqësorit. 

Njohësi i sigurisë tha se Policia po harxhon shumë kohë e energji deri tek arrestimi i personave me precedentë penal, mirëpo pastaj të njëjtit, sipas tij, po mbrohen në liri pa masa të menjëhershme gjyqësore.

E kjo, sipas tij, pastaj po i shkakton probleme Policisë sepse personat që nuk po marrin dënimet e merituara po vazhdojnë kryerjen e veprave penale. 

“Nuk duhet që të ja hedh në mënyrë të veçante këtij gjyqësorit, Prokurorisë apo në këtë rast edhe gjykatave, po realiteti është që Policia harxhon shumë kohë, energji deri sa e arreston një person të tillë që ka precedent penal, ndërsa kur dërgohet tek gjykatësi kalon në mënyrë lehtësisht duke u mbrojtur në liri pa masa të menjëhershme të masës gjyqësore. Kjo mandej shkakton problem për Policinë sepse ai vazhdon me kryerjen e veprave penale, për këtë mendoj se këtu duhet që të arrihet një bashkëpunim mesë institucioneve hetuese edhe të Policisë, por edhe të prokurorisë e gjyqësorit me qëllim që të jetë një sistem i qëndrueshëm”, tha ai. 

Ibishi bëri thirrje që Policia në të ardhmen të jetë më e kujdesshme në marrjen e masave parandaluese, ai theksoi se në këto raste ka edhe ngecje në bashkëpunimin me qytetarët, raporton EO. 

“Mendoj që Policia duhet që të jetë e kujdesshme në masat parandaluese që të mos vije deri tekë këto pasoja. Menaxhmenti policor duhet që në të ardhmen të jetë e kujdesshme në ndërmarrjen e masave operative taktike me qëllim që të mos vije kjo. Pra do të thotë masat parandaluese, mirëpo reagimi ishte me vend dhe i qëlluar. Tash po shihte se në bazë të gjetjeve është një numër i kufizuar, mendoj që në të ardhmen policia duhet që të jetë e kujdesshme. Në rastet kur rreziku është i madh duhet  të përdoren edhe këso masa me qëllim që pasojat të zvogëlohen. Një fatkeqësi e madhe është se kjo ngecej e bashkëpunimit me qytetarët, qytetarët po sa ti vërejnë një dukuri të tillë duhet ta paraqesin në polici me qëllim që ti evitojmë pasojat”, tha ai.

Policia e Kosovës, që nga data tetë gusht ka hartuar dhe është në zbatim të një urdhër operativ, i cili po zbatohet në tërë vendin dhe ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas njoftimit të policisë gjatë pesë ditëve (8 deri 12 gusht 2023) të realizimit të detyrave që rrjedhin nga ky urdhër, policia ka shtuar aktivitetet e saja në drejtim të goditjes së personave e grupeve që me veprimet e tyre, mund të bien ndesh me ligjet e vendit.

Gjatë kësaj kohe, sipas njoftimit të policisë, janë kontrolluar 12 038 vetura, janë kontrolluar 229 lokale, ku janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe janë konfiskuar 34 armë.

Të ngjashme