Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, po konsideron se për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend duhet që të vlerësohen të gjitha rrethanat dhe të konsultohen të gjitha institucionet përgjegjëse.
Duke komentuar kërkesën e kreut të shtetit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas përhapjes së Coronavirusit, Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se për këtë çështje duhet që të shikohen edhe praktikat e vendeve të tjera në mënyrë që të arrihen efekte.
“A janë kushtet për një gjë të tillë normalisht që duhet të vlerësohen të gjitha aspektet dhe vlerësimi bëhet nga institucionet të shëndetësisë dhe të sigurisë dhe të shikojmë praktikat e të tjerëve. Mirëpo duhet me shikuar edhe nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme atëherë të shpallet në një kohë sa më të shkurtër dhe optimale me qëllim që kjo të arrin efektet”.
Madje ai rekomandon që gjendja e jashtëzakonshme të mos zgjasë më shumë se 10 deri në 15 ditë, edhe pse me ligj mund të vazhdojë deri në 150 ditë maksimumi, raporton EO.
“Brenda kur presidenti merr vendimin të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, brenda 48 orëve Parlamenti duhet me 2/3 të miratojë apo të revokojë dekretin e presidentit. Se sa do të zgjatë mundësitë janë deri në 30 ditë deri 60 ditë dhe 90 ditë, në rast se vazhdon një situatë mund të zgjatë deri në 150 ditë mirëpo kjo duhet të bëhet në një afat shumë më të shkurtë se 30 ditë, optimale kishte me qenë deri 10-15 ditë”.
Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pra pas miratimit të kërkesë së presidentit nga Kuvendi me 2/3 e votave të deputetëve, Ibishi sqaron se do të kufizohet lëvizja, por nuk do të cenohen të drejtat elementare të njeriut.
“Realisht bënë kufizimin e disave, por nuk shkel të drejtat elementare të njerëzve apo qytetarëve kështu që normal kufizimet janë minimale në kuptim të lëvizjes në zonat e caktuara, por edhe në kohë të caktuar dhe normal, por edhe sipas moshës së qytetarëve dhe aty do të caktohet në udhëzimin apo në urdhrin, dhe dekretin e presidentit pasi të kryhet miratimi kështu që do të ketë kufizime, por jo edhe shkelje të drejtave elementare”.
Ibishi në këtë intervistë për EO, ka sqaruar rrethanat se kur presidenti Hashim Thaçi ka të drejtë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend.
“Po janë tri situata ku në bazë të kushtetueses presidenti ka autorizime që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, njëra është kur mobilizohet tërësisht sistemi forcat e armatosura për mbrojtje të Kosovës, e dyta është nëse ka trazira të brendshme dhe rrezikohet rendi i kushtetueses dhe e treta është sikur kjo që është epidemia dhe mund të shpallet”.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka bërë thirrje deputetëve që të bashkohen dhe ta ratifikojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i #COVID19”, shkruan ai në Twitter.
“Unë i bëj thirrje parlamentit të bashkohet e ta ratifikojnë atë”.