Gazetari dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, është bërë pjesë e Aleancës Kosova e Re (AKR).
Këtë e ka konfirmuar lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli.
“AKR po forcohet… Kam kënaqësinë që të prezantoj një njeri të rëndësishëm për AKR-në. Nga sot e tutje #AKR është më e fuqishme ngase pjesë e saj u bë edhe z. Ibrahim Rexhepi, njëri ndër njohësit më të mirë të çështjeve ekonomike në vend. Ibrahimi do të jetë bashkudhëtar i imi në sfidën për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të jetuar, vend me zhvillim ekonomik dhe me perspektivë punësimi për të rinjtë e të rejat e Kosovës. #AKR shpresë për #Rininë”, ka shkruar Pacolli.
Ndërsa, vetë Rexhepi ka dhënë arsyet pse iu bashkua AKR-së.
“Në ditën e parë të shkurtit 2017 bëhen plot 40 vjet prej kur jam në gazetari. Dyzet vjet prej kur jam marrë me zhvillimet vetëm në rrafshin ekonomik. Kam raportuar gati nga secila ndërmarrje e vendit, kam kritikuar e më shpesh kam dhënë vërejtje, kritika e sugjerime. Këtë relacion e kam mbajtur edhe me të gjitha qeveritë e Kosovës:, ka shkruar ai, në faqen e tij në Facebook.
“Tani ka ardhur momenti kur më është dashur t’i them vetes: Nëse vërtetë din, atëherë bëje ! Bëje për të mirën e vendit dhe të popullit”.
“Kam vlerësuar se vendi më i përshtatshëm ta bëjë atë që e dijë është Aleanca Kosova e Re dhe programi i saj që bazohet në zhvillimin ekonomik e punësim”, ka thënë më tutje Rexhepi.
“Besoj se kjo mund t arrihet me vullnetin dhe angazhimet që kam, si edhe me përkrahjen e presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli”.
Rexhepi në kohët e fundit është parë duke luajtur rolin e moderatorit në debatet që lideri i AKR-së, i ka zhvilluar në disa komuna, duke prezantuar platformën e këtij subjekti politik për zhvillim ekonomik.