“Ibrahim Rugovën” hajnat e lanë pa ndriçim

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Autostrada “Ibrahim Rugova”, që lidh Prishtinën me pikën kufitare të Merdarit, ishte një nga projektet që i kanë kushtuar më së shumti Qeverisë së Kosovës. Në nëntor të vitit 2013, teksa ishte drejt fundit fushata zgjedhore për balotazh të zgjedhjeve lokale, autostrada “Ibrahim Rugova” u përurua në një natë me borë.

Prej asaj kohe pak ka njerëz që s’kanë kaluar ndoshta një herë të vetme në këtë autostradë. Ajo ka pasur disa probleme me rrëshqitje të dheut në afërsi të Malishevës dhe Suharekës, gjithashtu në disa raste të tjera kishte “fjetur” asfalti, por qarkullimi ka vazhduar.

Hyrje-daljet e autostradës kanë trafo elektrike dhe shihet që për një gjatësi të caktuar rrugore ka edhe shtylla elektrike ndriçuese.

Sipas inxhinierit të komunikacionit, Bekim Ahmeti, ndriçimi i hyrje-daljeve bëhet në pamundësi të ndriçimit total dhe se mungesa e ndriçimit nuk është burim kryesor i aksidenteve. Por, pak e hiç kanë punuar ato drita në autostradën “Ibrahim Rugova”, pasi kanë qenë edhe cak i vjedhjeve.

Nga Policia e Kosovës është raportuar disa herë që janë vjedhur kabllot, trafot ose edhe mbrojtëset anësore në autostradën “Ibrahim Rugova”. Vlera e vjedhjeve ka arritur shifrën prej 1,400,000 eurosh, raporton Zeri.info.

Ministria e Infrastrukturës planin për ndriçimin e autostradës “Ibrahim Rugova” e ka të kryer dhe të nënshkruar kontratën me emër “Rregullimi i ndriçimit në autostradën Morinë – Merdare, R7”.

Tenderi ishte hapur më 28 gusht 2020 dhe vlera e parashikuar ishte 1,000,000 euro. Kompanitë mund të konkurronin deri më 9 tetor 2020, por më pas u shty deri më 4 dhjetor 2020. Më pas ndodhi edhe një shtyrje deri më 13 janar 2021 dhe të tjetra shtyrje deri më 25 janar 2021. E gjitha bëhej për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë, që ndikuan edhe në ndryshimin e kërkesave për kapacitetet teknike dhe profesionale të kompanisë dhe stafit që do të konkurronin për ta marrë tenderin.

Me hapjen e ofertave të operatorëve ekonomikë, më 25 janar 2021, në praninë e zyrtarëve të MI-së, Jetmir Alaj dhe Shefqet Emerllahu, fituese doli kompania “Select Prima” nga Prishtina, që kishte ofertuar me 417,167.30 euro. Kjo kontratë u nënshkrua më 19 mars 2021 nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi dhe nga drejtori i kompanisë “Select Prima”, Emrush Mazrekaj.

Kontrata specifikon se punimet do të zhvillohen në 18 pika – lokacione të ndryshme, si: pika Morinë, vendpagesa në Vlashne (hyrja në Prizren), dalja jugore në Prizren, Pushimorja 1 (në Prizren), dalja veriore në Prizren, Pushimorja 2 (në Suharekë), dalja në Suharekë, dalja në Duhël, Dalja në Malishevë, pushimorja 3 (në Malishevë), vendpagesa në Malishevë, dalja Gjirgjicë, hyrja në Fushë Kosovë, udhëkryqi i madh, vendpagesa Prishtinë, dalja tek Albi, dalja Mazgit, pushimorja në Besi dhe dalja në Besi.

“Select Prima”: Vështirësitë në punë vijnë nga vjedhjet dhe nga KEDS-i

Kompania që ka fituar tenderin është “Select Prima”. Punimet në kryerjen e punëve i ka filluar me kohë, por pandemia kishte bërë që të kishin ngecje, sipas Mujë Mazrekajt, udhëheqësit të punimeve nga kjo kompani.

Deri tash, sipas Mazrekajt, janë përfunduar punët në 5 lokacione me gjithë infrastrukturën përcjellëse.

“E kemi nis në Vërmicë (Pika Morin), e kemi kry një pikë në Prizren, daljen e Fushë-Kosovës, Daljen tek Albi Mall dhe në Mazgit e kemi kry. Pra, jemi nis nga Vërmica dhe po vijnë në drejtim të Prishtinës’, ka thënë ai për “Zërin”.

Afati që do të kryejë punimet kompania është shtyrë për shkak të pandemisë dhe tash “Prima Select” thotë që gjysma e parë e vitit 2022 do ta gjejë autostradën të ndriçuar.

“Ne jemi duke punuar me ritëm shumë të shpejtë. Moti i mirë në këtë kohë na ka ndihmuar. Deri në muajin maj besoj që projekti do të përfundohet. Gjysma e parë e vitit të ardhshëm”, ka thënë udhëheqësi i punimeve në këtë projekt.

Telashet më të mëdha kompania i ka hasur kur ka filluar punën dhe ka gjetur se vjedhjet që kanë ndodhur në rrjetin elektrik kanë qenë të mëdha.

“Në Prizren na ka dalë shumë telashe, vjedhja dhe dëmtimi ka qenë shumë i madh edhe në gypa. Edhe në pikat tjera njëjtë ka pasur vjedhje dhe dëmtime. Kjo është një nga arsyet që po na vonon më së shumti. I kanë vjedhur kabllot edhe në shtylla, që është edhe më telashe. Secilën prej kabllove tash duhet me i shti me kran”, tregon më tej Mazrekaj.

Vjedhjet janë enorme. Duke i parë nga afër dhe duke u ballafaquar me pasojat, Mazrekaj për “Zërin” ka thënë se janë vjedhur 14 trafo, që vlera e tyre është te 4,800 mijë euro, 54 ormanë elektrikë, që vlera e tyre është tek 1,200 euro dhe 80 kilometra kabllo. Këto llogariten vetëm si vjedhjet me vlera më të mëdha, pa shtuar edhe vjedhjet e tjera.

Për të evituar vjedhjet, nga materiali i bakrit që është përdorur dikur në instalimin e ndriçimit dhe si material i dëshiruar nga hajnat, tash kompania “Prima Select” po vendos material të aluminit.

E kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Ministria e Infrastrukturës ka thënë që kompania për mirëmbajtje të autostradës do të sigurohet që të mos ketë vjedhje më.

“Kompania për mirëmbajtje të autoudhës është përgjegjëse për sigurimin e autoudhës 7/24 h, ndërsa operatori ekonomik i kontraktuar për ndriçim do të bëjë vetëm implementimin e kontratës për funksionalizimin e ndriçimit publik”, thuhet nga Ministria.

Por vonesat në projekt, sipas udhëheqësit të punimeve Mujë Mazrekaj, vijnë edhe nga kompania KEDS. Lidhjet dhe punët e tjera që presin dorën e KEDS-it në lartpërçues, ai thotë se po vonohen.

Kjo kompani në përgjigje për gazetën ka treguar se nuk ka asnjëfarë lidhjeje me këtë çështje.

“Ndriçimi publik nuk është kompetencë e KEDS-it. Në këtë rast është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës”, është thënë nga KEDS-i.

Autostrada nuk konsiderohet e përfunduar, pasi nuk i ka të përfunduara ende pushimoret. Një pjesë e kësaj rruge, që të sjell deri në Prishtinë, nuk konsiderohet autostradë edhe sipas shenjave të sinjalistikës në komunikacion. Nga Gjurgjica autostrada nuk konsiderohet e tillë. Qasja në atë rrugë magjistrale është nga të gjitha anët dhe bizneset e shtëpitë janë krejt pranë rrugës. Në autostradë kyçesh përsëri në Fushë-Kosovë dhe deri tash mund të vazhdosh rrugën deri në Besi, ku përfundon gjithçka.

Vazhdimi i autostradës deri në Merdar, sikur ka qenë ideja, pritet të ndodhë. Kjo e gjitha nën siglën e “Autostradës së Paqes”, që nga Besia deri në Merdar i ka edhe 27 kilometra. Kjo autostradë ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator 2020 në Washington nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën mbikëqyrjen e ish-presidentit Donald Trump.

Kosova ka edhe autostradën tjetër në drejtim të Maqedonisë së Veriut, “Arbën Xhaferi”, e cila ka kushtuar mbi 600 milionë euro dhe është ndërtuar nga kontraktori i njëjtë.


Të ngjashme