Identifikohen 286 vetura të dyshimta për shmangie doganore

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 15:12 | Nga

Njësia Rajonale e Autokrimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, gjatë vitit 2017 ka identifikuar 286 vetura me dokumentacion të dyshuar.

Identifikimi i këtyre veturave është bërë mbi bazën e planeve konkrete për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, ku e gjithë ecuria është realizuar përmes kontrollit të disa lokacioneve të ndryshme, ku kryesisht ushtrohej veprimtari e shitblerjes së automjeteve dhe pjesëve të tyre.

Nga këto kontrolle ka rezultuar me identifikimin e 286 veturave, disa nga to edhe të çmontuara, dokumentacioni i të cilave nuk figuron në sistemin e rregullt të obligimeve doganore.

Të gjitha këto vetura të identifikuara dyshohet të jenë importuar nga shtetet evropiane. I gjithë dokumentacioni i këtyre veturave të hasura te personat në posedim u është dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë për procedurë të mëtejme.

Hetimet e verifikimit të prejardhjes së këtyre veturave, statusi i tyre, shtetet prej nga kanë ardhur, është bërë në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar përmes ILECU-t në Prishtinë.

Ndërsa hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndaj personave në pronësi të të cilëve janë gjetur veturat ka iniciuar 12 raste të kallëzime penale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme