Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në akademinë solemne të organizuar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ka thënë se kjo datë përfaqëson një nga ngjarjet më domethënëse të historisë së kombit shqiptar, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, Idrizi ka përmendur ngjarjet historike që lidhen me 28 Nëntorin, nga ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali dhe Isa Boletini në vitin 1912, lindja e komandantit legjendar Adem Jashari, deri te dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997.
Ai ka theksuar se kjo datë simbolizon sakrificën dhe përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, duke përmendur luftërat dhe qëndresën ndër vite.
“Sot është një ditë e veçantë. Është dita, është data më domethënëse e historisë së kombit shqiptar, e cila shënon një varg të ngjarjeve që lidhen me datën e 28 nëntorit. Është nëntori i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kur e ngrit flamurin në Krujë. Është nëntori i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, që në vitin 1912 ngrisin flamurin në Vlorën heroike dhe shpallin Shqipërinë shtet të pavarur. Është nëntori i komandantit legjendar, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Është dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po më 28 nëntor të vitit 1997, që shënon edhe kthesën e madhe për këtë pjesë të kombit, e cila mbeti e robëruar që nga viti 1913 deri në çlirimin e saj përfundimtar, falë gjakut të derdhur, sakrificës, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve të NATO-s dhe në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Idriiz.
“Prandaj, 28 nëntori nuk është thjesht një datë, por është pjesa që shënon boshtin e historisë së kombit shqiptar. Kjo është një datë që na bashkon dhe për të ardhur deri këtu, kishte një rrugëtim të gjatë, të mundimshëm, me shumë vuajtje, sakrifica, një rrugëtim të përgjakshëm me luftëra të vazhdueshme nga viti 1910–1912, luftrat e Hasan Prishtinës, Azem Bejt Galicës dhe çetat e kaçakëve dhe këto lufta, përpjekje përgjatë një shekulli nuk janë ndalur. Me mijëra e mijëra burra e gra kanë vuajtur për këtë ditë që po e gëzojmë sot, për këtë flamur që është ngritur dhe valon i lirë sot”, tha Idrizi.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së, ai tha se ata po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Andaj sot kur jemi tubuar për të festuar ditën e flamurit, këtu prapë diçka nuk është duke shkuar si duhet te kombi ynë, sepse janë duke u përpjekur që ta përbuzin dhe njollosin luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ushtri e cila lindi dhe u rrit pikërisht në gjirin e popullit shqiptar, dhe falë kësaj lufte u krijua edhe shteti i dytë shqiptar në vitin 2008. Sot, padrejtësisht mbahen udhëheqësit, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ata burra, të cilët organizuan luftën për të mbrojtur pragun e shtëpisë”, ka thënë ai.


