Idrizi i pakënaqur me ndarjet buxhetore: Do t’iu drejtohemi ministrive për grante

Prishtinë | 15 Dhj 2022 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka komentuar ndarjen buxhetore që ka bërë Qeveria për vitin 2023.

Idrizi ka thënë në “Politiko” se këtë vit ka pasur një rritje, por për shkak të ngritjes së çmimeve nuk do të mjaftojë buxheti për përfundimin e projekteve, andaj duhet kërkuar mjete në ministri të caktuara.

“Vitin që e lamë pas kemi pasur bashkëpunim me institucionet qendrore, dmth kemi pasur grante nga Ministria e Bujqësisë për zgjerim të rrjetit të ujitjes, pastaj me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për një shëtitore që tash është në përfundim, me Ministrinë e Infrastrukturës kemi nënshkruar dy marrëveshje për rregullimin e shtratit të Silnicës”.

“Sa i përket buxhetit 2023, është një rritje që i prek edhe investimet kapitale, ku diferenca është mbi 2 milionë por qëndron ajo se shtrenjtimi i çmimeve, tash shikojmë se sa mundemi me punu me këto para. Megjithatë në kuadër të kësaj kornize kemi planifikuar se çfarë do të punojmë. Jemi duke i hartuar disa projekte që përsëri do t’iu drejtohemi ministrive të caktuara për buxhet sepse me këtë buxhet nuk kemi me arritur me i realizu disa projekte kapitale që janë, por besoj do të gjejmë mirëkuptim”, ka deklaruara kryetari Idrizi.

Të ngjashme