Idrizi në Ditën e Çlirimit: Të bëhemi bashkë për veriun, vetëm kështu e fitojmë përkrahjen e miqve

Vushtrri | 17 Qer 2023 | 15:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka organizuar Akademi Solemne me rastin e 17 Qershorit – Ditës së Çlirimit, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast jjanë nderuar personalitete të shquara vushtrriase, po ashtu u bë ndarja e çmimeve “Nderi i Qytetit” dhe “Emblema e Vushtrrisë”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i ka uruar qytetarët për këtë ditë të rëndësishme, derisa tha se më meritorët që sot festohet janë ata që dhanë jetën për liri të vendit.

“Për këtë ditë që ne të festojmë u sakrifikuan shumë qytetarë të Kosovës, mbi gjakun e të cilëve u ndërtua liria dhe pavarësia e shtetit tonë”, tha Idrizi.

Ai ka kërkuar që të gjithë pa dallim të bashkohen, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për veriun e vendit, duke shtuar se duhet të tejkalohen dallimet e të vihet në prioritet çështja kombëtare.

Idrizi pohoi se të bashkuar kemi arritur që ta fitojmë luftën, e t’i bindim miqtë që kauza jonë është e drejtë, prandaj edhe tash sipas tij, duhet të veprohet njësoj.

“Sot është një ditë e veçantë e ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificën shekullore të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Jemi mbledhur këtu që të kremtojmë çlirimin e qytetit të historisë, qytetit të Hasan Prishtinës”.

“Kështu të bashkuar e duam njëri-tjetrin, kështu na duan të gjithë qytetarët, kështu të bashkuar na duan gjithë shqiptarët, sepse edhe sot kur po festojmë prapë kemi probleme. Prapë e kemi problem veriun, që na fton të gjithëve t’i lëmë më një anë dallimet që janë shumë të vogla, e ta vëmë çështjen kombëtare interes prioritet ashtu qysh u vendos kur filloi lufta e UÇK-së. Kjo është dëshmi se të bashkuar mund t’ia dalim”.

“E fituam edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë – aleancës më të fuqishme,ShBA-së dhe NATO-s të cilët na ndihmuan dhe e çliruam vendin. Sot kemi edhe probleme të tjera dhe ne që kemi marrë përgjegjësi e kemi përgjegjësi ta ngrisim cilësinë e arsimit, ngase vetëm kjo e qon Kosovën drejt vendeve të zhvilluar”.

Shaip Hyseni nga organizata e dala nga lufta, tha se falë luftës së UÇK-së 24 vjet më parë u çlirua Vushtrria.

Ai në fjalë e tij përmendin edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, e që sipas tij, po gjykohen padrejtësisht, raporton EO.

“Sot 24 vjet më parë u larguan armiqtë serb nga komuna jonë, fal luftës së shenjtë të UÇK-së ne sot e shënojmë këtë ditë të bekuar. Edhe këtë vit festojmë pa bashkëluftëtarët tonë, pa themeluesit e UÇK-së pa themeluesit e shtetit të Kosovës, edhe sot gjenerata e raja duhet ta dinë që liria e ka çmimin lartë”.

Veprimtari, ish i burgosuri politik Ramadan Pllana, i cili mori çmimin e “Nderi i Qytetit” për kontributin e dhënë për këtë komunë, tha se ndihet i nderuar me çmimin e dhënë, për çka e falënderoi kryetarin Idrizi.

Për nderë të 24-vjetorit të çlirimit, fillimisht janë bërë homazhe në nderim të të rënëve për liri.

Në Shtëpinë e Kulturës u mbajt edhe koncerti festiv me këngë e valle nga Ansambli i Qytetit “Hasan Prishtina”.

Të ngjashme