Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vizituar profesoreshën Selvete Sholla, e cila sfidoi sëmundjen e kancerit të gjirit.
Profesoreshën Sholla, Idrizi e ka quajtur “grua të hekurt” e cila fatmirësisht iu është rikthyer profesionit të saj si mësimdhënëse.
“Ditën e filluam me vizitë ‘gruas së hekurt’, e cila sfidoi sëmundjen e kancerit të gjirit, dhe tani i është kthyer normalitetit me shëndet të plotë. Profesoresha, Selvete Sholla, bashkë me bashkëshortin e saj, profesorin, piktorin e njohur Mergjan Sholla, na pritën në familjen e tyre. Shëndeti i profesoreshës dhe optimizmi i saj për jetë, dukej që po i jepnin gjallëri edhe buqetës së luleve që i dhuruam, si simbolikë për t’i uruar shëndet të plotë. Pas një ndeje të shkurtë, me muhabet dhe ngrohtësinë familjare, u larguam me urimet më të mira për këtë familje, për shëndet të plotë të profesoreshës, dhe me thirrjen për solidaritet të të gjithëve, ta luftojmë kancerin e gjirit, duke e identifikuar në fazat e hershme”, ka shkruar Idrizi në Facebook.