IFC-ja mbështet KRK-në në rritjen e kredive për fermerët

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 09:58 | Nga

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, do të ofrojë një kredi prej 2 milion euro për institucionin e Kreditimit Rural të Kosovës, Sh.p.k.

(KRK) për të shtuar kreditimin për fermerët, sipërmarrësit rural, dhe bizneset e tjera të vogla në Kosovë, duke mundësuar zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës.

Kjo është kredia e dytë që IFC-ja i jep KRK-së, ku kredia e parë prej 1.5 milionë euro u përmbyll në vitin 2015. Financimi i mesëm dhe afatgjatë vazhdon të jetë në nivel të ulët në Kosovë edhe pse është kyç për zhvillimin e sektorit privat në vend. Kjo është veçanërisht e dukshme në sektorin e bujqësisë, ku fermerët dhe agrobizneset e vogla shpesh përballen me vështirësi në përpjekjet e tyre për të siguruar fonde nga bankat tradicionale komerciale.

“IFC-ja na mbështet në rritjen e dhënies së kredive në zonat rurale dhe në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë”, tha Lulzim Sadrija, kryeshef ekzekutiv në KRK.

“Pjesa kryesore e portofolit tonë përbëhet nga kreditë e dhëna për individë për financimin e bizneseve të vogla e mikro, si në bujqësi apo kultivimin e kafshëve.”

Bujqësia përfaqëson rreth 14 për qind të PBB-së në Kosovë dhe punëson rreth 20 për qind të popullatës. Meqenëse portofoli i KRK-së fokusohet në bujqësinë primare dhe në përpunimin bujqësor në Kosovë – me mbi 50% të kredive dhe 60% të klientëve – kredia e re e IFC-së do nxisë një zhvillim të mëtejshëm të sektorit të bujqësisë në Kosovë.

“Duke ofruar këtë kredi të dytë për KRK-në, ne jo vetëm që mbështesim prodhuesit bujqësor vendas, por gjithashtu dëshmojmë besimin tonë për KRK-në dhe në përgjithësi për sektorin mikrofinanciar në Kosovë”, tha Thomas Lubeck, drejtor rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. “Institucionet mikrofinanciare si KRK-ja janë esenciale për zhvillim rural dhe punësim.”

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që nga ajo kohë, investimet afatgjate të IFC-së arrijnë në 391.4 milion dollarë, duke i përfshirë fondet e mobilizuara nga partnerët tanë, në 5 projekte që shtrihen në disa sektorë. Përveç kësaj, IFC-ja ka mbështetur shkëmbimet tregtare prej 4.8 milionë dollarësh përmes programit të saj të financimit të tregtisë. Portofoli ynë i investimeve angazhuar për Kosovën më 30 qershor 2016, është 9.1 milion dollarë. Në vitin financiar 2016, IFC-ja ka investuar në Kosovë 2 milion euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme