Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), publikon analizën “Politizimi kundër kushtetues i ANJF”. Në këtë analizë, IKD ka gjetur se inkorporimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë është bërë në kundërshtim me kushtetutën.
Ligji Nr.08/L-063 duke e synuar racionalizimin e institucioneve dhe duke e sistemuar ANJF në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e ka politizuar sistemin e ndihmës juridike falas në Kosovë. Duke nisur nga politikat e përgjithshme e deri tek vendimet e veçanta, do të vendosë Ministria e Drejtësisë, si institucion që udhëhiqet nga një i emëruar politik. Përfundimisht, tani mund të thuhet se mbi kërkesat e qytetarëve për ofrimin e ndihmës juridike falas do të vendos një institucion politik. Për më tepër, sipas ligjit të ri, edhe kriteret për ofrimin e ndihmës juridike nga OJQ do të përcaktohen nga Ministria e Drejtësisë.
Krahas politizimit të ANJF, tanimë në Ministrinë e Drejtësisë praktikisht janë fuzionuar edhe ndërgjygjësit, përkatësisht i padituri dhe paditësi. Kjo pasi pjesë e Ministrisë së Drejtësisë është edhe Avokatura Shtetërore, që parimisht përfaqëson institucionet publike. Kështu, paradoksalisht, për rastet e njëjta, Ministria e Drejtësisë do të duhet të kujdeset edhe për mbrojten e interesit të qytetarëve edhe për mbrojten e interesit të institucioneve publike. Pra, edhe për interesin e paditësit edhe interesin e të paditurit.
Në linjë me standardet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Tutje: GjEDNj) IKD gjen se Ligji Nr.08/L-063 nuk ka përcaktuar një ekuilibër ndërmjet qasjes në drejtësi dhe pavarësisë së profesionistëve ligjor që ofrojnë ndihmë juridike falas. Politizimi i ANJF, inkorporimi i saj në Ministrinë e Drejtësisë dhe krijimi i situatës ku ANJF përmes ofrimit të ndihmës juridike do të mbrojë të drejtat e qytetarëve përballë institucioneve që përfaqësohen nga Avokatura Shtetërore, të dy këto institucione nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, privon përfituesit e ndihmës juridike falas për qasje efektive në drejtësi.
Kështu, nën këtë rregullim të ri ligjor, qytetarët tanimë nuk kanë siguri të mjaftueshme juridike që për rastet e tyre që kanë nevojë për ndihmë juridike falas të kërkojnë ndihmë juridike nga ANJF. Kështu, ky rregullim ligjor, ka cenuar të drejtën e qytetarëve për ndihmë juridike falas, sipas standardeve të përcaktuara nga GjEDNj, standarde këto obligative në rendin kushtetues kosovar. Për këtë arsye, ky projektligj është në kundërshtim me nenin 31.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Me këtë rast, pas kësaj analize, Avokati i Popullit sipas kompetencës së tij të përcaktuar me Kushtetutë duhet ta procedojë Ligjin Nr.08/L-063 në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.