Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar raportin “Progresi dhe regresi i Këshillave: Raport i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial (1 prill – 30 qershor 2019)”.
Sipas njoftimit për media gjetjet e IKD-së, tregojnë se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019 janë përballur me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Tremujori i dytë i vitit 2019, sikurse edhe vitet e mëhershme nuk ka shënuar progres në drejtim të shtimit të efikasitetit të këtyre mekanizmave të kontrollit, veçanërisht tek sistemi gjyqësor. Në anën tjetër, gjatë vitit 2019 janë shënuar shumë raste kur gjykatës, prokuror, kryetar të gjykatave dhe kryeprokuror të caktuar kanë rënë në kundërshtim me parimet dhe Kodin e Etikës, por asnjë prej tyre nuk është shkarkuar për shkak të performancës së dobët apo për shkak të masave disiplinore. Përjashtim bën KPK, e cila gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, përmes masës disiplinore ka propozuar për shkarkim një prokuror, si dhe ka degraduar një prokuror tjetër brenda sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.
IKD thekson se sipas legjislacionit pozitiv, këshillat obligohen që çdo tre muaj të ftojnë kryetarët e gjykatave, respektivisht kryeprokurorët e prokurorive për të raportuar para anëtarëve të këshillave. Përderisa KGJK këtë obligim ligjor e ka përmbushur, KPK nuk është marrë fare me këtë çështje.
“Përkundër faktit se ka një ngritje relative të efikasitetit të dy këshillave në miratimin e legjislacionit sekondar, për shkak të akumulimit të madh të obligimeve të pazbatuara ndër vite nga të dy këshillat, ende ka rregullore të pa miratuara, obligimi për miratimin e së cilave ka qenë qysh nga ligjet e kaluara, të cilat tanimë janë shfuqizuar”, theksohet në njoftim.
Ndryshe IKD përgjatë monitorimit të KGJK-së ka gjetur se nuk është përmbushur obligimi ligjor për themelimin e degëve të reja të Gjykatës Themelore të Prishtinës në Komunën e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Sikurse përcaktohet në ligj, themelimi i tyre do të ndikonte në shkarkimin e Gjykatës më të ngarkuar me lëndë në vend, asaj në Prishtinë, si dhe do të rriste qasjen në drejtësi për qytetarët e këtyre komunave.
“Transparenca me publikun, mediat dhe shoqërinë civile, mbetet ende sfidë për KGJK-në dhe KPK-në, të cilën sfidë asnjëri këshill nuk ka vullnet ta tejkalojë. Sa i përket KGJK-së, të gjeturat e IKD-së për transparencën e KGJK-së gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019 tregojnë se nëse shikohet tremujori i dytë i këtij viti si periudhë e ndarë, KGJK ka një progres të theksuar të transparencës në disa fusha të caktuara. Sa i përket periudha të kaluara, përkatësisht akteve nënligjore që KGJK ka nxjerrë para 1 prillit 2019, pothuajse është ruajtur status quo, në kuptim që KGJK as gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019 nuk ka bërë publikimin e atyre dokumenteve”, thuhet tutje në raport.
Ndërsa, sa i përket sistemit prokurorial, IKD thekson se ky sistem ka një regres rapid sa i përket nivelit të transparencës, sidomos pas centralizimit të informacionit prokurorial nga Kryeprokurori i Shtetit, përmes Rregullores së KPK-së për Shërbimin e Komunikimit në Sistemin Prokurorial. Gjatë vitit 2018, përqindja e kërkesave për qasje në dokumente publike dhe informata në të cilat IKD nuk kishte marrë përgjigje kishte qenë 51.45%, derisa kjo përqindje kishte rënë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 në 19.23%, i cili fakt në raportin e kaluar të IKD-së është evidentuar si progres. Por, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, pra pas centralizimit të informacionit nga ZKSH, kjo përqindje është ngritur në 81.03%. Kjo e dhënë flet për atë se sistemi prokurorial tanimë është pothuajse hermetikisht i mbyllur dhe plotësisht jo transparent, përpos rasteve përjashtuese.
IKD ka gjetur se Këshillat vazhdojnë me qasjen e njëjtë në raport me marrjen e vendimeve si dhe miratimin e legjislacionit sekondar, duke bërë shkelje të vazhdueshme të ligjit. Këto veprime të Këshillave, cenojnë rëndë ligjshmërinë dhe legjitimitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Po ashtu, si në KGJK ashtu edhe në KPK mungon qasja profesionale në raport me draftimin e legjislacionit sekondar të këshillave.
“Mungesa e vullnetit dhe integritetit të dy këshillave për t’i përmbushur me efikasitet, integritet dhe profesionalizëm obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore është mesazhi më i keq që këta dy këshilla mund të përçojnë tek gjykatësit dhe prokurorët, si dhe tek publiku i gjerë. Kjo qasje e shndërron në parim të punës joefikasitetin, mungesën e llogaridhënies dhe pandëshkueshmërinë. Në pjesën e gjetjeve të veçanta të monitorimit të IKD-së për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, raporti trajton temën e procesit të rekrutimit të gjyqtarëve të departamenteve speciale, “kërcënimin” e Sindikatës së Judikaturës për futje në grevë, kërcënimin me bombë në KGJK, ndërprerjen e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK-së, dështimin në praktikë të Rregullores së KPK-së për Shërbimin e Komunikimit, “luftën e ftohtë” të KPK-së me Koordinatorin Shqipdon Fazliu si dhe shpërblimin që KPK ia ka bërë në mënyrë të kundërligjshme Kujtim Munishit për ta emëruar si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prishtinës”, thekson IKD në raport.
Në fund raporti, ofron rekomandimet konkrete se si të rritet transparenca, efikasiteti dhe llogaridhënia në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.