Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”, ne të cilin raport flitet për rastet kur në Gjykata nga prokurorët janë dorëzuar aktakuza ndaj personave pas vdekjes së tyre, raporton Ekonomia Online.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja tha se vetëm dy vjetët e fundit ka pasur numër të madh të rasteve kur janë ngritur aktakuza ndaj personave që kishin vdekur para se të ngritën aktakuzat ndaj tyre.
Rastet janë identifikuar nga monitorimi sistematik, derisa Miftaraj tha se ky raport është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore në dy vitet e fundit.
Ai shtoi se IKD ka monitoruar mbi 10 mijë seanca gjyqësore në Kosovë.
“Përgjatë analizës së realizuar nga IKD ka gjetur se vetëm përgjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve, gjyqtarët kanë nxjerrë aktvendim për pushim të aktakuzës, për shkak se të akuzuarit kishin ndërruar jetë para ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorisë. Pra në Gjykatë, prokurorët kishin dorëzuar aktakuza të ngritura kundër personave të vdekur”, ka thënë Miftaraj.
Arrita Rezniqi, autore e këtij raporti nga IKD-ja, ka thënë se të pandehurve nuk u është dhënë rasti të dëshmojnë pafajësinë e tyre.
“Në këtë raport ne kemi identifikuar disa prej rasteve dhe këto lidhen kryesisht me veprën penale, vjedhje e shërbimeve komunale. Të gjitha këto raste e dëshmojnë faktin se këta persona janë përballë me aktakuza thjeshtë për vet faktin se njësori elektrik është i regjistruar në emër të tyre. Të pandehurve asnjëherë nuk u është dhënë rasti që të deklarohen apo të merren ne pyetje për ato pretendime për të cilat thuhen në aktakuzë”, ka thënë ajo.
E Yll Zekaj nga IKD-ja ka thënë se me ngritjen e këtyre aktakuzave po dëmtohet edhe buxheti i shtetit dhe po krijohet mosbesim nga ana e qytetarëve.
“Përveç ato shkelje që u përmenden më herët, kemi edhe pasoja në buxhetin e shtetit, kur e dimë se automatikisht në çdo rast të pushimit të procedurës nga ana e gjyqësorit, e në këtë rast është e domosdoshme kur një i pandehur gjendet i vdekur, atëherë me pushimin e këtyre procedurave dëmtohet drejtpërdrejt buxheti i shtetit. Përveç dëmtimit të buxhetit, kemi edhe pasoja të tjera, siç është ulja e reputacionit të gjyqësorit, pastaj mosbesimi nga ana e qytetarëve dhe dëmtimin e pasigurisë juridike të qytetarëve”, ka thënë Yll Zekaj, tha ai, raporton EO.
IKD-ja ka rekomanduar që prokurorët të sigurojnë që mos të cenohet siguria juridike e qytetarëve dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.
Gjithashtu, sipas IKD-së prokurorët duhet t’i shmangen praktikës së krijuar për ngritje të aktakuzave, pa zhvillimin e hetimeve dhe pa marrjen në pyetje të pandehurit.
Rekomandim tjetër, IKD-ja ka kërkuar që Gjykata t’ia kthejë në plotësim prokurorisë aktakuzat e tilla dhe në rast të mosplotësimit të të njëjtave, ti hedhë ato si të parregullta.