IKD: Shqetësuese dukuria e parashkrimit të lëndëve në Departamentet e Përgjithshme në Divizionin Penal

Prishtinë | 10 Nën 2019 | 12:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka prezantuar raportin “Krimet e Përgjithshme në Kosovë”.

Këtu janë përmbledhur të gjeturat nga departamentet e përgjithshme në gjykata dhe prokurori.

Sipas hulumtuesve të IKD-së dukuria më shqetësuese është ajo e parashkrimit të lëndëve. Raporti thekson se vetëm gjate vitit 2018 janë parashkruar mbi dy mijë lëndë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2019-ës mbi një mijë lëndë.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së tha se raporti analitik është si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve në të gjitha Departamentet e Përgjithshme (DP) – Divizonet Penale të të gjitha Gjykatave Themelore (GJTh), në tërë territorin e Kosovës përfshirë edhe degët e tyre.

“IKD gjatë kësaj periudhe kohore ka monitoruar gjithsej 2,694 seanca ku përfshihen 2,015 lëndë penale. Ndër problemet më të mëdha në këtë departament shfaqet dukuria e parashkrimit të lëndëve”, tha Miftaraj.

Gzime Hashani hulumtuese në IKD, tha se KGJK ka dështuar të zbatojë politikat e veta sa i përket reduktimit të lëndëve në Gjykatat Themelore.

“Ndonëse Divizionet Penale vazhdojnë të përballen më numër të madh të lëndëve, këto divizione kanë hyrë në “binarë” të stabilizimit. Me këtë tempo të gjitha lëndët e pazgjidhura të cilat barten vit pas viti do të zgjidhen për rreth 3 vite”.

Hashani tha se sa i përket performancsë së Divizioneve Penale sipas Gjykatave, rezulton se në vitin 2018 prinë DP i GjTh në Pejë me 51% të lëndëve të zgjidhura, ndërsa përqindjen më të vogël në këtë rast e ka DP i GjTh në Prishtinë dhe DP i GjTh në Mitrovicë. Ajo theksoi se përqindja e ulët e GjTth në Prishtinë ndërlidhet edhe me numrin e madh të lëndëve me të cilat është e ngarkuar kjo Gjykatë.

“Gjatë vitit 2018, mesatarisht secili gjyqtar ka zgjidhur nga 303.4, që i bie se gjyqtarët e DP-ve të GjTh-ve gjatë vitit 2018 kanë tejkaluar normën orientuese të përcaktuar nga KGJK-ja, duke kryer nga 11.4 lëndë më shumë”, tha Hashani, sipas së cilës, në raportet e KGJK-së mbi performancën individuale të gjyqtarëve, IKD ka gjetur se ka disbalancë të madh në mes gjyqtarëve për nga numri i lëndëve të kryera.

Hulumtuesja Hashani tha se ndër problemet më të mëdha në Departamentet e Përgjithshme, mbetet dukuria e parashkrimit të lëndëve penale.

“Gjatë vitit 2018 dhe gjashtë mujorit të parë të vitit 2019, në sistemin gjyqësor janë parashkruar 4,112 “krime” të përgjithshme (3,850 lëndë me parashkrim absolut dhe 262 lëndë me parashkrim relativ). Nëse e kalkulojmë numrin e lëndëve të parashkruara me numrin e ditëve gjatë vitit 2018, atëherë i bie se mesatarisht, në sistemin gjyqësor çdo ditë janë parashkruar nga 7.7 lëndë, ndërsa çdo muaj nga afërsisht 237 lëndë. Ndërsa, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, cdo ditë janë parashkruar nga 7 lëndë, apo nga 211 lëndë në muaj. Parashkrimi amniston kryerësit e veprave penale dhe dëmton interesat e palëve të dëmtuara”.

Sa i përket prokurorive, hulumtuesja Hashani tha se statistikat e KPK-së pamundësojnë analizimin e trendeve të efikasitetit në këto departamente, duke vështirësuar informimin e saktë të publikut rreth punës së këtij institucioni.

“KPK refuzon që të bëjë publike punën individuale të secilit prokuror dhe poashtu nuk ofron të dhëna mbi numrin e rasteve të parashkruara në sistemin prokurorial, të cilat në rastet që IKD i monitoron i evidenton dhe raporton”.

Sipas Hashanit, në Prokuroritë Themelore (PTh), rezulton se mesatarisht, prokurorët kanë tejkaluar dyfishin e normës vjetore, duke kryer nga 305 lëndë më shumë se sa norma orientuese.

“PTh në Mitrovicë ka qenë prokuroria më efikase, ku secili prokuror mesatarisht ka zgjidhur nga 890 lëndë.  Prokuroria më jo efikase ka qenë PTh e Prishtinës, ku secili prokuror mesatarisht ka kryer 388 lëndë gjatë vitit 2018”.

Një shqetësim tjetër ka ngritur hulumtuesja Hashani ka të bëjë me dështimin e ankesave të Prokurorisë në Gjykatën e Apelit.

“Në vitin 2018, prokurorët e DP kanë parashtruar gjithsej 426 ankesa, 82 prej të cilave janë aprovuar nga GjA, derisa 169 ankesa të tjera janë refuzuar nga Gjykata e Apelit. Ndërsa, në gjashtë mujorin e parë 2019, prokurorët e DP të PTh-ve kanë parashtruar gjithsej 673 ankesa, 188 prej të cilave janë aprovuar nga GjA, derisa 354 ankesa të tjera janë refuzuar nga GjA.”

Hulumtuesi Mirvet Thaqi ka prezantuar gjetjet e veçanta të raportit. Thaqi tha se nga nga rastet e monitoruara rezulton se Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pasurive vetëm në 53 raste, ndërsa fare nuk ka kërkuar në 1,962 raste të tjera, që paraqet sipas tij, një dështim të prokurorëve në luftimin e pasurive të përfituara përmes aktiviteteve kriminale. Sipas tij, kohëzgjatja e një rasti në Prokurori nga data e parashtrimit të kallëzimit penal e deri në ngritjen e aktakuzës është 285 ditë.

“Gjykatave Themelore, vetëm për caktimin e shqyrtimit fillestar pas ngritjes së aktakuzës i janë nevojitur mesatarisht 619, ndonëse sipas Kodit të Procedurës Penale Gjykata obligohet që seancën fillestare ta mbaj brenda 30 ditësh pas ngritjes së aktakuzës”.

Thaqi tha se IKD ka gjetur se ekziston një tendencë e gjykatës për të fshehur nga opinioni publik lëndët ku në cilësinë e të akuzuarve paraqiten persona me ndikim në jetën politike dhe publike.

“IKD ka vërejtur se disa raste mbahen qëllimisht të mbyllura për publikun si pushimi  i gjykimit ndaj Frashër Krasniqit dhe 21 aktivistëve të VV-së, aktakuza për rastin “Fondi 3%”, rasti “Spitali”, pushimi i procedurës ndaj ish-këshilltares së ish-ministrit, Blerand Stavileci etj”.

Dukuri tjetër që sipas hulumtuesit Thaqi është vërejtur gjatë monitorimit të IKD-së është ngritja e aktakuzave nga prokurorët për vepra penale të rëndësisë së vogël.

“Ka pasur aktakuza dhe dënime për qytetarë, të cilët kanë vjedhur disa pula e gjela, apo ka pasur dënime me kusht për blerje të akumulatorit në vlerë prej 5 eurove. Me këtë qasje të prokurorëve dhe gjykatësve në ngritjen e aktakuzave të rëndësisë së vogël dhe dënime joadekuate, thjeshtë sistemi i drejtësisë nuk arrin të jap përgjigje për dukuritë negative në rritje”.

Thaqi tha se IKD ka ofruar një sërë rekomandimesh për adresimin e problemeve të identifikuara gjatë monitorimit. Ndër të tjera, ai tha se rekomadojnë KGJK-në dhe KPK-në që të ri analizojnë rregulloret mbi normat orientuese, në mënyrë që të krijohen indikatorë të saktë mbi matjen e efikasitetit të secilit gjyqtar dhe prokurorë, ndërsa këto institucione u rekomandua të rrisin llogaridhënien ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk respektojnë afatet ligjore në trajtimin e rasteve në krimet e rënda.

Të ngjashme