Ikje nga liria

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 17:53 | Nga Kimete Berisha

Nuk je i lirë veç pse s’të rreh policia e armikut rrugëve, pse s’të vrasin pa prit e pa kujtu dhe veç pse ka përfundu lufta.

Lirinë 20 vjeçare të Kosovët e festuan shumë pak shqiptarë.

Nuk e festuan Lirinë as ata që marrin pare që e sollën Lirinë, 60 mijë e kusur veteranë, përfshi ‘veteran’ Azem Vllasin 😂.

Kur je i lirë nuk ndjen më nevojë për Liri si kur je i ngopur me bukë, apo me gjumë…çka po ndodh që shqiptarët po ikin nga kjo Liri, e japin këtë Liri për një Liri tjetër, një Liri që i vjen era drejtësi.

Çka është Liria pa drejtësi?
Ku mund ta gëzosh ti ‘Lirinë e tyre’ kur ti je i lirë satë japin ‘ata’ Liri, veç për të mbetur gjallë, i lirë të sillesh rrugëve gjithë ditën e lume pa cent në xhep, i lirë m’i ru loptë, i lirë me dështu, i lirë me kry shkollë e me mbet mbyllun n’shpi, i lirë me ikë, m’u tranu, m’i pa se si të fortit e kriminelët u ‘knaqën’ në këtë Liri…i lirë me mbajt ymyd, i lirë si i vdekuri…por jo i lirë për ta gëzu’ Lirinë.

Lirisë ia di lezetin dhe ka çka tregon për Lirinë Hashim Thaçi me familje, Kadri Veseli me familje, Ramush Haradinaj me familje dhe akranët e tyre milionerë, e jo Ju.

Ne vetëm i kemi ndërruar armiqtë, prej se ka përfundu lufta, janë këta të njejtit që na ‘vrasin’ duke na injoruar, duke na nënçmuar, duke na lënë pa punë e pa bukë, na vjedhin, na izolojnë, na përjashtojnë nga Liria ‘e tyre’ të cilën kujtojnë dhe rrejnë që e kanë ‘pru’ vet.

Kush s’është me ta-nuk ekziston.
Ju e patë, Hashim Thaçi e shfrytëzoi rastin që djalin e tij me taku me Bill Klinton. S’kanë lënë rast pa shfrytëzu dhe s’kanë lënë gjë pa vjedh e pa uzurpu.
E ‘uzurpuan’ edhe Bill Klintonin.

Kam kajt atë ditë, në atë festë të varfër Lirie.

Ty po të flas, ti që si unë, je ulë në dhomën tënde, i ke mbyll perdet e vjetra dhe s’pret më asgjë e mirë të ndodh.
Ti që s’ke as forcë me ikë nga kjo Liri, nga Liria ‘e tyre’.

Bill Klintonit i pati hije me fol pak, me çel pak temën e kriminelëve e mafisë politike shqiptare, me na ndihmu pak m’u çliru prej xhavit hajdarave e listave të tyre të vdekjes, se nuk është e mundur që Ai nuk e di se ky popull qe 20 vjet vegjeton.

Bill Clintonit i pëlqen ta adhurojnë, i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, të jetë kryesori, të hyjë në histori, sepse është krenar, e meriton dhe i ka hije…ama atë ditë e humbi shansin historik për t’u bërë hero i rinisë së sotme që po ikë nga Liria që e solli Ai.

Hero bëhesh kur kërkon nga këto banda 20 vjeçare të lëshojnë rrugë, ta dorëzojnë pushtetin siç i kanë dorëzuar ‘armët shkarant të Fatos Nanos’, i dekoruar sot nga Hashim Thaçi për Kosovëdashuri.

Prandaj kjo festë ishte e mërzishme sepse nuk flitej për të ardhmen e Lirisë.
Liria dukej histori e largët e dëshpëruese dhe kish marrë pamjen e fytyrës së Hashim Thaçit.
Liria me figurën e tij është dëbuese, përjashtuese dhe vetjake, si vet ai.

Ramush Haradinaj e shfrytëzoi momentin e festës së Lirisë të bëhet ‘i gjanë’, ta imitojë pak Hashim Thaçin, i cili ndodhet në pauzë ‘të dashnisë’ ndaj Serbisë.

Kryeministri s’di sa herë kërkoi pajtim me Serbinë. Kur viktima kërkon pajtim, tingëllon e tmerrshme dhe e neveritshme…
Pajtimin ky e kërkon në emrin e grave të dhunuara apo në emrij e të vrarëve! Se viktimat e dhunës sa e dimë ne po lypin drejtësi e jo pajtim. Qe 20 vjet i keni peivu nga drejtësia.

A ke dëgju ti dikund në botë (përveç te ne) që viktima t’i ‘vardiset’ vrasësit të saj! A e ka lejen ky që në emrin e të vrarëve të pajtohet me Serbinë. Nuk ndodh, nuk ndodh mbi fytyrë toke që e/i dhunuari m’i kërku pajtim dhunuesit!

Mbylle se s’din. Nuk e çel temën e pajtimit viktima, ajo temë çelet nga vrasësi i penduar e pastaj viktima vendos a e fal a jo!

(Është i çuditshëm mentaliteti serb: në NATO nuk duan me hy, kurse krejt botën e lusin me ndërhy që Kosova me ua heq taksën e zallogave të tyre pa afat).

Qe pse nuk e kemi festuar Lirinë:

  1. Sepse Liria e Kosovës e ka fytyrën e kriminelëve të PDK-së, dhe nga ajo Liri është i përjashtuar secili që s’është me ta;
  2. Sepse, janë vrarë qindra shqiptarë qe 20 vjet dhe kush nuk ka pyet ‘pse’;
  3. Është vjedh dhoma e dëshmive të krimit në stacion policor, askush s’ka dhënë përgjegjësi;
  4. Sepse, nuk besojmë në drejtësi, se drejtësia ēshtë ‘krijesë’ e tyre;
  5. Sepse nuk ke punë dhe nuk ke shans m’u punësu pa të njofshëm ose pa simpati;
  6. Edhe nëse ke punë, e ke rrogën e vogël dhe punon për skllavopronarë që janë mish e shpirt me ta, e në disa raste edhe vet ata;
  7. Sepse, në këtë shoqëri kanë përparësi njerëzit e bukur. Ka diskriminim në bazë të pamjes (llukizëm), mos të flasim për diskriminime tjera;
  8. Sepse, qindra serbë marrin rroga nga qeveria e Kosovës, pa punu. Kurse zyrtarëve shqiptarë ua numërojnë minutat;
  9. Sepse na kanē vjedh kurrë pa pushu, 20 vjet ua kemi pagu (pa na pyet) serbëve të veriut rrymën dhe ujin;
  10. Sepse nëse guxon edhe ti me qenë ‘i lirë’ si ata ta nxijnë jetën;
  11. Sepse, na kanë vjedh në emër të RTK-së, dhe do të na vjedhin prapë, na detyrojnë me dhunë ta paguajmë propagandën e tyre.
    RTK gjithmonë i ka shërby dhe i shërben qeverisë, prandaj le të paguhet nga qeveria.
    Unë RTK nuk këqyri prej mbas luftës, as s’di që ekziston, prandaj, nuk e paguaj në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht televizonin e ‘tyre’;
  12. Sepse krejt Kosova është e mbushur me bërllog, është ajri i papastër dhe ka shumë zhurmë;
  13. Sepse, ministria e shëndetësisë ia jep tenderin për infuzione një kompanid të Serbisë. Ushqimeve natyrore të Ssrbisë u vendosin taksë, e të sëmurëve u japin ushqime artificiale serbe;
  14. Sepse Kadri Veseli tha de Uran Ismajli e do Prishtinën me zemër…se paska tjetër organ me të cilin po mujshe me dasht;
  15. Sepse ata bëjnë dasma të mëdha, e ne bëjmë dasma ‘të vogla’;
  16. Sepse, Ramushi ende nuk e di ‘Kah po shkon zana’;
  17. Sepse këshilltari i Kadri Veselit nuk u deklarua kundër këngës së Ledrit ‘Rio’, anipse Brazili refuzon kategorikisht me pranu Lirinë e Kosovës.
    Ka mujt m’i knu Suharekës ose Miradisë së Poshtme, çka e tërheq dikë t’i këndoj një vendi që ta refuzon dhe ta mohon Lirinë!

I njejti këshilltar nuk u distancua nga shprehjet spanjolle në këngën e Getit dhe Majkut. Ata këndojnë ‘vamos’, ua rrisin morrin spanjollëve, e glorifikojnë gjuhën e tyre, anipse spanjollët nuk e pranojnë Lirinë e Kosovës.

Këndoni edhe katundit të thellë të Ana Bërnabiçit, në Uzhicë, dhe Santorinit, njësoj është.

Këshilltari i Kadri Veselit është veç kundër gjuhës arabe, në veçanti kundër shprehjes ‘elhamdulilah’, shprehje kjo e një populli që së paku e ka pranuar Lirinë e Kosovës, anipse Lirinë e tyre askush prej neve s’besoj që ua lakmon.

Shqiptarët e kërkojnë një tjetër Liri në perendim, askush nuk kërkon Liri dhe ardhmëri në Lindje.
(Elhamdylilah-in e marrin me vete në perendim).

Sepse, për m’u ftof nga Lindja s’ka më kollaj: mjafton lajmi se Arabia Saudite do ta dënojë me vdekje një 18 vjeçar që u arrestua kur ka qenë 13 vjeç, për shkak se ka marrë pjesë me një bicikletë në një protestë dhe sepse ka marrë pjesë në varrimin e vëllait të tij po ashtu protestues…).Nuk e festuam Lirinë, sepse, në këtë Liri, kontrabandohen edhe organet njerëzore dhe qelizat vezore të kontrabanduara ruhen në QKUK. Pse qelizat duhet të jenë nga Turqia ose nga vendet tjera, a s’paskan shqiptarët qeliza a, duhet të ndërrohet edhe ADN-ja e shqiptarëve a çka po ndodh këtu?;

Dhe në fund, policia mburret që i shqiptoi për një ditë 1000 tiketa dënime, aksham pazari, sepse kjo polici nuk ekziston për siguri në trafik por për të dënuar.
Dënimet i konsiderojnë sukses.
Kjo Liri ‘e tyre’ nuk ta gjen zgjidhjen e parkingut por të dënon nëse nuk parkon ku duhet, anipse s’ka vende ‘ku duhet’!

Liria nuk mjafton.

P.S. Kur njëri e pyeti Profetin, ‘Me kë do të jem?’, Profeti iu përgjegj: ‘Do të jesh me atë që do’…mjerisht kjo vlen për botën tjetër.

Të ngjashme