IKShPK njofton për 3 të vdekur nga pandemia, janë nga veriu

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 23:20 | Nga Ekonomia Online

IKSHPK ka bërë të ditur se ka shkuar në 15 numri i rasteve të vdekjes si pasojë e Coronavirusit.

Tri rastet janë nga veriu, përkatësisht nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një rast i vdekjes.

Gjithashtu sonte janë konfirmuar 37 raste të reja më koronavirus në Kosovë, kjo ka bërë që numri i të prekurave të arrijë në 598.

Çuditërisht njoftimi për të 3 viktima – numri më i madh në një ditë nga fillimi i pandemisë – jepet diku nga fundi i komunikatës.

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

NJËZET E NJË TË SHËRUAR DHE TRIDHJETË E SHTATË RASTE ME COVID-19!

Sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste me vendbanim në Lipjan, tetë (8) raste me vendbanim në Pejë, gjashtë (6) raste me vendbanim në Prishtinë, pesë (5) raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër (4) raste nga Komuna e Podujevës (sipas vendbanimit: dy (2) raste Podujevë dhe dy (2) raste Pollatë), dy (2) raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një (1) rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Sot më 20 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tre (123).

Nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy (2) raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një (1) rast i vdekjes.

Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej pesëmbëdhjetë (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6351 kontakte të rasteve.

Të ngjashme