IKShPK thotë se uji që shpërndahet në rrjet është i sigurt

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Si pasojë e reshjeve atmosferike në disa zona të Prishtinës, Fushë Kosovës e Obiliqit po ka reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm. E gjithë kjo jo për mungesë të ujit por për shkak të turbullirave të mëdha të shkaktuara nga reshjet.

Koordinatorja e Departamentit për monitorimin e cilësisë së ujit në IKSHPK, Burbuqe Nushi-Latifi thotë se kapacitete që ekzistojnë nuk e përballojnë filtrimin.

“Teknologjia e përpunimit të ujit nuk e përballon shkallën e turbullirave që janë shkaktuar në ujëra, për këtë arsye duhet të zvogëlohet kapaciteti prodhues dhe rrjedhimisht zvogëlohet edhe sasia e ujit me të cilin furnizojmë qytetarët”, tha për RTV Dukagjinin, Burbuqe Nushi-Latifi.

Ajo thotë se uji që vjen në çezme është i sigurt për përdorim nga qytetarët.

“Çdo ditë jemi në monitorim të cilësisë së ujit. Deri sot mostrat që janë marrë nga ujësjellësat nuk tregojnë se ka ndonjë ndryshim në parametra. Pra të gjitha parametrat janë brenda standardeve të parapara…Nuk lejohet të lëshohet në rrjet uji që tejkalon parametrat. Për këtë arsye në favor të ruajtjes së cilësisë po duhet ta zvogëlojmë kapacitetin”.

Sot gjatë ditës janë raportuar orare të reduktimeve me ujë të pijshëm për disa zona të Rajonit të Prishtinës. Reduktimet do të vazhdojnë deri në një njoftim të ri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme