Ergin Oda është artist dhe bariton nga Kosova. Është këngëtari i parë shqiptar i prezantuar në “Musical Venues” në New York City. Ka performuar në “Carnegie Hall”, “RiverSide Church”, St. Patrick’s Cathedral, Austin Opera, “Symphony Space, “Birdland”, Metropolitan Room e të tjera. Ergini ka lindur në Mitrovicë, ku edhe ka filluar studimet për muzikë për të vazhduar pastaj në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për Etnomuzikologji dhe Këndim.
Që nga viti 2003 deri në vitin 2013 ai ka qenë solist në Filarmoninë e Kosovës, ku ka performuar role të ndryshme, si Remendado “Carmen” (G. Bizet), Niku “Dasma Arbëreshe” (R. Dhomi), Robert, “Ali Pascha von Janina” (A. Lortzing) e të tjera. Në vitin 2009 ai ka studiuar për muzikë në Konservatorium e Vjenës në Austri.
Ergin ka qenë pjesë e shumë koncerteve dhe performancave në vende të ndryshme, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Austri, Francë, Suedi dhe shtete të ndryshme në SHBA. Ai ka mësuar nga profesorët, si Merita Juniku (Kroaci/Kosovë), Annette Fischer (Gjermani/Austri), Caroline Isabel- Merz (Gjermani), Britta Johansson (Suedi), Dorothy Stone (ShBA), Gary Norden (ShBA) Elizabeth Bishop (ShBA), Michael Corvino (Itali/ShBA). Që nga viti 2013 ai jeton dhe performon në New York dhe në vende të tjera brenda ShBA-së.
Dhimbja më ka mësuar të përballem, në kërkim të shpëtimit, zgjerimit të shpirtit. Dhimbja, sikurse dëshpërimi, më ka rebeluar e më ka bërë ushtar kundrejt rregullave. As sot, as dje e as nesër nuk arrita të flisja mbi dhimbjen, oqeanin që trazon thellë nga brenda, kur djeg e t’i kafshon buzën së ngushëlluari, duke thënë me vete se kam një plan tjetër.
Nuk ka për të të djegur gjatë, do të këndoj për këtë ditë. Mësova të interpretoj mbi dhimbjen, por jo edhe të flas në lidhje me të. Në kërkim të kurimit të dhimbjes gjeta muzikën si artin më efikas për të kuruar e për të shpalosur emocionet e thella. Dhimbja të bën artist stoik, them unë. Artisti është mik i ngushtë me dhimbjen, shkruan sot Koha Ditore.
Kur dëgjoj zëra muzikalë nga majtas e djathtas, në skena të vogla e të mëdha, me vete them: “Sa bukur interpreton dhimbjen”. Dhimbja nuk arrin ta gjymtojë artistin, përkundrazi, ndërton atë, ashtu siç më ka ndërtuar mua e miliona të tjerë.
“Nëse di të flasësh mbi dhimbjen, fol, mos hezito, madje më mëso dhe mua”, është këshilla ime.
Imagjinata. Dhurata me sublime nga të poseduarat, destinacioni i pafundmë për të cilin nuk të duhet vizë.
Udhëtoj me çantën bosh për t’u kthyer plot. Unë nuk i frikohem vetmisë, siç ndodh rëndom me masën, kam një univers imagjinate për ta eksploruar.
Po të isha i rrethuar me njerëz në mënyrë konstante, do të më vinte keq për imagjinatën, ngaqë udhëtimi bëhet më i mundimshëm për mos të thënë i pamundshëm….