Imamët në pritje të dritës së gjelbër nga AKI-ja për fillimin e ligjëratave në burgje

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 12:59 | Nga

>Në bazë të një memorandumi të bashkëpunimit mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, 20 imamë do të mbajnë ligjërata fetare nëpër burgjet e Kosovës.

Këto ligjërata të imamëve do të zhvillohen në tentim të deradikalizimit të burgosurve, duke përfshirë edhe ata që po vuajnë dënimin për ekstremizmin fetar.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, për lajmi.net ka thënë se ende nuk dihet se kur do të fillohet me këtë proces, mirëpo se tani për tani lista e imamëve që pritet ta bëjnë një gjë të tillë është ende nën verifikimin e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.

“Procesi është ende në proces të verifikimit nga AKI-ja, jemi marrë vesh me ministrin e Drejtësisë që të mos flitet deri në verifikimim e këtyre imamëve”, ka bërë të ditur Bajgora.

Ai shton se në momentin që Bashkësia Islame e Kosovës të marrë dritën e gjelbër nga Ministria e Drejtësisë dhe AKI-ja, do të fillohet menjëherë me organizimin e këtyre ligjëratave nëpër qendrat korrektuese të Kosovës.

“…përndryshe në momentin që do të marrim dritën e gjelbër prej tyre ne do të fillojmë me ligjëratat, përndryshe ky process nuk mund të fillohet pa e marrë verifikimin zyrtar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe AKI-së”, përfundoi Bajgora për lajmi.net.

Ndryshe, rreth 150 persona të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak, po vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme