Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës me temë “Sistemi Tatimor i Kosovës”.
Ai ka prezantuar para studentëve të arriturat e ATK-së duke thënë se ky institucion është i specializuar për administrim të tatimeve, dhe është i vetmi institucion që merret me këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Imeri sqaroi se përmbushja e obligimeve tatimore nga qytetarët e Kosovës, në mënyrë direkte krijon parakushte më të mira për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, në të gjitha fushat e jetës.
Imeri ka treguar mënyrën se si është rekrutuar ky institucion nga 30 zyrtarë duke rritur numrin në rreth 800 sa janë aktualisht.
Ai ka thënë se 50 për qind e bizneseve me tatimet e tyre mbushin buxhetin e Kosovës. Sipas tij, janë tre trupa për mbledhjen e tatimeve: ATK-ja, Dogana dhe Drejtoritë tatimore lokale. Ai gjithashtu ka thënë se ATK-ja ka përgjegjësi në TVSh, në kontributet pensionale, kontrollimin e lojërave të fatit…
Sipas tij, Dogana ka përgjegjësi për akcizat dhe taksat doganore, e cila kujdeset për të hyrat në kufij “dhe se kjo është ajo e dallon Doganën nga ATK-ja”.
Imeri ka theksuar se tatimet janë shkencë dhe obligime të lindura për ata që merren me biznes.
Ai ka përmendur edhe 5 parimet bazë të ATK-së: lehtësimi në zhvillim ekonomik me prioritete të caktuara; qëndrueshmëria dhe evitimi i ndryshimeve të shumta; transparenca që ka të bëjë me trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve, si dhe njoftimin me kohë për detyrimet tatimore; thjeshtëzimi i procedurave me qëllim që të jenë të lehta dhe të kuptueshme; dhe shpërndarja e drejtë e barrës tatimore dhe zgjerimi i saj.
“Një sistem tatimor është i mirë dhe i suksesshëm vetëm nëse është i thjesht. Kosova e ka një sistem të tillë të mirë dhe të thjesht për qytetarët”, tha Imeri.
Ai ka thënë se numri më i madh i tatim paguesve është nga qytetarët të cilët dëshirojnë të veprojnë drejtë dhe të respektojnë ligjet. Kurse për kategorinë që nuk respektojnë pagesën, ai ka thënë se mund t’i pres edhe burgu.