Kastriot Imeri nuk ia ka mbyllur derën Kosovës. Kështu ka thënë të shtunën vetë mesfushori kosovar për gazetën e madhe zvicerane “Blick”.
Imeri i ka kaluar të gjitha grupmoshat e përfaqësueseve zvicerane, ndërsa do të luajë edhe në Evropianin U21 me “helvetikët”. Megjithatë, zemra e tij rrah edhe për Kosovën, ka theksuar futbollisti i talentuar.
Imeri thotë se Zvicra i ka dhënë çdo gjë. Madje edhe Kampionatin Evropian U21, që do të zhvillohet në Hungari dhe Slloveni. Zvicra do të luajë kundër Anglisë, Kroacisë dhe Portugalisë, ndërsa Imeri dëshiron të ketë rol të rëndësishëm.
“Zvicra më ka dhënë gjithçka në karrierën time. Të luash në nivele të larta është ëndërr e imja. Është gjë e mirë që zemra ime rrah për dy shtete”, ka thënë Imeri, futbollisti që vlerësohet shumë. “Dera ime nuk është e mbyllur për Kosovën”.
Planet e Kastriot Imerit për këtë verë janë të mëdha. Ai ëndërron të shkojë në gara evropiane me Servetten dhe të ketë paraqitje të suksesshme me Përfaqësuesen e Zvicrës U21 në Kampionatin Evropian.
20-vjeçari ka kaluar shifrën e 100 ndeshjeve për Servetten. Në moshën 16-vjeçare, Kastriot Imeri debutoi për ekipin nga Geneva, ndërsa si 17-vjeçar ishte pjesë e rregullt e ekipit. Sot, është njëri prej talenteve më të mëdha në Zvicër dhe me më së shumti eksperiencë nga gjithë moshatarët e tij.
“Po shkon mirë”, ka thënë Imeri për gazetën zvicerane “Blick”. Servette është në vendin e dytë në tabelë në Superligën e Zvicrës dhe i ka pasur katër fitore rresht së fundmi.
Imeri është nga Kosova dhe është rritur me prindërit e tij, me motrën e madhe dhe vëllain e vogël.
“Është nder për mua të luajë për Servetten si një djalë që jam rritur në Geneva. E kam dashur këtë gjë si fëmijë. Më kanë pëlqyer gjithmonë Andres Iniesta dhe Granit Xhaka. Xhaka është model për mua. Por për të arritur deri aty, më duhet shumë punë”, ka shtuar Imeri.
Imeri në muajin shkurt në duelin kundër Luzernit u ndëshkua me dy kartonë të verdhë për 134 sekonda. Megjithatë, Imeri thotë se ka mësuar nga ai gjest i pahijshëm.