Imeri: Serbia dëshiron që me çdo kusht ta paraqet veriun në situatë krize

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Politogu, Dorajet Imeri, ka thënë se shteti i Serbisë dëshiron që me çdo kusht ta paraqet veriun e Kosovës në një situatë krize.

Imeri, ka thënë se serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje në katë komunat veriore sepse janë të interesuar ta pengojnë konstituimin e institucioneve të Kosovës atje.

“Serbia po dëshiron që me çdo kusht ta paraqet veriun si një situatë krize. Serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë të interesuar të krijojnë institucione, por janë të interesuar të pengojnë krijimin e institucioneve, të negociojnë për krijimin e tyre me kushtin që të fitojnë ndonjë kompromis të ri, në një proces jo shumë simetrik në mes të bisedimeve Kosovë dhe Serbi”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Sipas Imerit, serbët do të marrin pjesë në zgjedhje në qoftë se ka një marrëveshje të re, që të mos ketë policë të Njësisë Speciale në veriun e vendit.

“E para, serbët kërkojnë themelimin e Asociacionit me kusht. E dyta, ata do të marrin pjesë në zgjedhje nëse ka edhe një marrëveshje që mund të duket e tmerrshme në dukje, është që të mos ketë policë të Njësisë Speciales atje. Sepse, janë të interesuar që me çdo kusht të krijojnë një rrethanë të re politike, por kjo është e pamundur. Prandaj, këtu Bashkësia Ndërkombëtare është dashur të jetë më e zëshme”, tha Imeri.

Për katër kryetarët e partive politike shqiptare të zgjedhur në komunat veriore, Imeri tha se vështirë që do të mund ta ushtrojnë mandatin e tyre.

“Vështirë që këta kryetarë të zgjedhur të mund të ushtrojnë mandatin e tyre. Do të jemi objektiv për këtë çështje, ata e dinë se si është çështja dhe e dinë se si do të jetë situata”, shtoi ai.

Të ngjashme