Realizimi i projektit më të madh në Komunën e Pejës në periudhën e pasluftës ka marrë dritë të gjelbër nga Drejtoria e Urbanizmit, e cila para disa ditësh ka lëshuar lejen e ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza për 65 për qind të territorit të Komunës së Pejës.
Dhënien e kësaj lejeje e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” drejtori i kësaj drejtorie, Rajan Arapi.
“Ia kemi dhënë lejen e ndërtimit projektit më të madh në Komunën e Pejës. Në fakt janë dy leje ndërtimi pasi projekti do të realizohet në dy lote. Dokumentet i janë dorëzuar edhe donatorit, që ka kërkuar lejen ndërtimore. Tash ishte dashur të niste menjëherë të realizohej projekti, se unë i pyeta dhe më thanë se menjëherë do të nisin”, thotë Arapi.
Ky projekt për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë ka një kosto prej mbi 22 milionë eurosh. Donatorë kryesorë të këtij projekti janë Qeveria gjermane me 9 milionë euro dhe Qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro.
Komuna e Pejës do të ndajë mbi tre milionë euro, derisa pjesa tjetër do të jepet nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë nga Komuna e Pejës është zhvilluar edhe procedura e shpronësimit të tokës për ndërtimin e impiantit dhe trasesë për shtrirjen e gypave që çojnë ujërat e zeza deri në impiant.
Drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj, tregoi se vlera e shpronësimit të tokave për këtë projekt kap një shumë prej 680 mijë eurosh. Për këtë projekt kapital janë shpronësuar 11 hektarë tokë private.
Lokacioni për ndërtimin e impiantit është përcaktuar në zonën kadastrale Gorazhdec.