Në organizim të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), të premten në Pejë është mbajtur një dëgjim publik për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis të projektit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë.
Ky raport është prezantuar në këtë dëgjim dhe në bazë të tij MMPH e jep apo jo pëlqimin mjedisor për ndërtimin e impiantit, shkruan sot Koha Ditore.
MMPH në këtë dëgjim ka qenë si palë neutrale dhe diskutimet e zhvilluara nga ky dëgjim publik, ministrinë siç u shpreh zyrtari i lartë i kësaj ministrie, Naim Alidema do ta ndihmojë që të marrin një vendim të drejtë dhe real lidhur me dhënien e pëlqimit mjedisor.
Në këtë dëgjim publik ishin të pranishëm vetë tetë qytetarë, të cilëve ju prezantua edhe raporti i vlerësimit nga studimi i bërë për ndikimet pozitive dhe negative të projektit të impiantit.