Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sot ka inauguruar objektin e ri për Zyrën e punësimit në komunën e Rahovecit.
Me këtë rast ai tha se Rahoveci, që nga sot do të ofrojë shërbime më cilësore dhe më profesionale për qytetarët e kësaj treve.
Duke përgëzuar për punën e mirë që është kryer, ai tha se MPMS edhe më tutje do të fokusojë vëmendjen me projekte tjera në komunën e Rahovecit në të ardhmen.
Përveç shërbimeve administrative, këshillimeve, ndërmjetësimeve për punësim, kjo qendër do të ofrojë edhe trajnime të ndryshme për punëkërkuesit.
Zyra e Punësimit do të ketë një rol të ri në të ardhmen në ofrimin e shërbimeve dhe do të funksionojë brenda sistemit të integruar në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Kosovës.