Incidenti me dronët rusë në Gjermani: Hetimet lidhen edhe me Serbi

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Gjermania të martën e konfirmoi se Rusia është pas incidentit serioz të ndodhur më 4 gusht në Aeroportin e Leipzigut.

I përshkruar si “sulm hibrid”, incidenti përfshinte një dron të mbushur me eksploziv, që u zbulua pranë aeroplanëve ukrainas të mbushur me mallra, raporton Klan Kosova.

Policia dhe shërbimet e inteligjencës gjermane janë duke zhvilluar një hetim intensiv lidhur me personat e dyshuar që mund të jenë autorë të rastit në Lajpcig/Halle.

Gazeta “Suddeutsche Zeitung” dhe dy televizione të mëdha, raportojnë se janë identifikuar dy të dyshuar: njëri është rus me pasaportë letoneze, e tjetri nga Bjellorusia, me pasaportë ruse.

Një raport tjetër medial thotë se po hetohen dy pista se a mund të kenë lidhje të dyshuarit për rastin në Lajpcig, dhe dy persona tjerë që ndodhen në paraburgim tashmë në Serbi.

Ata u arrestuan më 11 qershor kur në kufirin serbo-hungarez u zbuluan mjete eksplozive pranë një tubacioni të gazit. I përfshirë është dhe një dron që mbante me vete eksploziv.

Andaj autoritetet në Berlin po hetojnë nëse këta të dy eventualisht mund të kenë informacione lidhur me rastin në Lajpcig.

Njëri nga të dyshuarit për rastin me dronin që bartte eksploziv në aeroportin gjerman ndërlidhet me një incident tjetër në vitin 2024, kur shpërtheu një zjarr masiv në Poloni.

Presidenti rus Vladimir Putin, kategorikisht ka mohuar përfshirjen e regjimit të tij në rastin e Lajpcigut. Kurse si kundërmasë ndaj Berlinit, Kremlini veproi të enjten.

Ndërsa, shërbimi i inteligjencës së Danimarkës (PET), të enjten, ngriti alarmin për kërcënimin rus.

PET paralajmëroi se Moska po rekruton shtetas danezë për të ndihmuar palën ruse në operacione sabotimi, sidomos ndaj industrisë së mbrojtjes.

Dëshmi konkrete për këtë plan, inteligjenca daneze tha se ka gjetur në media sociale dhe platforma të lojërave online./klankosova.tv

Të ngjashme