Incidenti mes stafit, deklarohen nga Spitali i Pejës

Prishtinë | 06 Shk 2024 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e së hënës ka ndodhur një përleshje mes dy punonjësve në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Lidhur me rastin, në faqen zyrtare të spitalit në Facebook, janë shprehur se ndjejnë keqardhje dhe se spitali është në proces të mbledhjes së të dhënave për tu njoftuar për të gjitha detajet.

Tutje, në postimin e tyre thuhet se ky proces deri tani nuk ka mundur të kryhet sepse dy të punësuarit që janë përfshirë në rast, kanë qenë në organet e hetuesisë dhe nuk i kanë marrë të gjitha informacionet.

“Dje ky proces nuk ka mundur të kryhet sepse dy të punësuarit tonë të përfshirët në këtë rast kanë qenë në organet e hetuesisë dhe ne nuk kemi ende të gjitha informacionet e duhura. Pas mbledhjes së informacioneve ky rast do të trajtohet sipas akteve normative në fuqi”, thuhet në njoftim.

Të hënën, rastin për Paparacin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi.

“Rreth orës 9:30 viktima (pjesë e stafit) është sjell nga policia prej spitalit pas një përleshje që ka pas me një pjesëtar tjetër të stafit. Është intervistu i dyshuari dhe më pas është liruar, është njoftu prokurori për rastin. Rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor. Rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Gashi.

Të ngjashme