Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore kërkon llogaridhënie institucionale, koordinim ndërmjet institucioneve dhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin e femicidit, pas vrasjes së A.Z. në Pejë. Sipas grupit, rasti ngre shqetësime serioze për reagimin institucional ndaj kërkesave të viktimës për mbrojtje.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) ka shprehur shqetësim të thellë për vrasjen e A.Z. në Pejë, e cila, sipas grupit, kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga institucionet pak para vdekjes së saj tragjike.
Përmes një reagimi publik, SGG-ja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës, duke theksuar se ky rast ngre shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe kërkesave për mbrojtje.
Sipas Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, kjo vrasje nuk duhet të trajtohet si një tragjedi e izoluar, por në kontekstin e rasteve të grave që kanë kërkuar ndihmë, por që nuk kanë arritur të marrin mbrojtjen e nevojshme.
SGG-ja vlerëson se rasti thekson nevojën për një qasje më efektive institucionale në parandalimin e femicidit, rritjen e llogaridhënies dhe koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Në reagimin e saj, organizata ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë, të udhëhequr nga perspektiva gjinore, për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të shqyrtuar reagimin institucional ndaj kërkesave të mëparshme të viktimës për mbrojtje.
Sipas SGG-së, hetimi duhet të përcaktojë nëse ka pasur mangësi në veprimet institucionale, të identifikojë përgjegjësitë përkatëse dhe të sigurojë që drejtësia të vihet në vend pa vonesa. Njëkohësisht, rezultatet e hetimit duhet të shërbejnë për identifikimin e masave që do të parandalonin tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Grupi ka kërkuar gjithashtu koordinim të menjëhershëm ndërmjet Policisë së Kosovës, prokurorive, gjykatave, mbrojtësve të viktimave dhe shërbimeve sociale, me qëllim që gratë në rrezik të përfitojnë nga vlerësime gjithëpërfshirëse të rrezikut, zbatimi efektiv i urdhrave për mbrojtje dhe ndërhyrja e menjëhershme institucionale.
Një tjetër kërkesë e SGG-së është shqyrtimi urgjent i rasteve ekzistuese të dhunës në familje me rrezik të lartë. Përmes këtij procesi, synohet të identifikohen mangësitë në mekanizmat e mbrojtjes dhe të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar humbje të tjera të jetëve.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore ka kërkuar edhe krijimin e një mekanizmi të posaçëm për monitorimin e femicidit, i njohur si Femicide Watch.
Ky mekanizëm do të mundësonte monitorimin dhe analizimin sistematik të vrasjeve të grave dhe vajzave, përfshirë rrethanat që u kanë paraprirë rasteve, reagimin e institucioneve dhe mundësitë për ndërhyrje që mund të kenë humbur.
Sipas SGG-së, një mekanizëm i tillë do të shërbente si bazë për hartimin e masave parandaluese të mbështetura në prova, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe parandalimin e rasteve të ardhshme të femicidit.
Po ashtu, organizata ka kërkuar miratimin dhe zbatimin e një qasjeje të qëndrueshme, me viktimën në qendër, e cila garanton qasje në mbrojtje dhe mbështetje gjithëpërfshirëse gjatë të gjitha fazave të trajtimit të rastit.
SGG-ja ka theksuar se femicidi nuk mund të konsiderohet një incident i izoluar, por përfaqëson manifestimin më ekstrem të dhunës me bazë gjinore dhe kërkon një përgjigje sistemike nga institucionet.
“Kur një grua kërkon shprehimisht mbrojtje dhe më pas vritet, institucionet duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë, kur janë ndërmarrë, pse janë marrë vendime të caktuara dhe kush ka qenë përgjegjës për zbatimin e tyre”, thuhet në reagimin e grupit.
Përmes këtij qëndrimi, SGG-ja vë në pah rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, veçanërisht në rastet kur viktimat kanë kërkuar paraprakisht ndihmë dhe mbrojtje nga dhuna.
Në përfundim, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet për parandalimin dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore. Njëkohësisht, do të kërkojë që institucionet të veprojnë në përputhje me standardet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, në mënyrë që çdo grua dhe vajzë të mund të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna.