Gazeta e njohur britanike “The Independent” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit të Kosovës. Ajo radhit Prishtinën në mesin e 10 vendeve e Evropës që duhet vizituar patjetër.
Në këtë publikim, flitet rreth historisë së Kosovës, figurave të njohura që vijnë nga ky vend, e edhe për destinacionet e bukura që ka.
‘Mund ta njihni Kosovën nga videot e vitit 1999, por ju nuk e dini që kryeqyteti i këtij shteti sot është bërë një nga vendet me kulturë vibrante dhe një mirëseardhje shumë të ngrohtë’, kështu e fillon artikullin gazeta e njohur.
Ndër të tjera përmendet edhe se Prishtina është vendlindja e yllit të muzikës pop, Rita Ora.
‘Nuk është e çuditshme që ‘Lonely Planet’ e ka futur Kosovën në listën për 10 top destinacionet e Europës për vitin 2018’, shkruhet më tutje.
Më tutje, në tekst flitet edhe për arkitekturën e e kryeqyteti të Kosovës dhe për “makiatot” e famshme që bëhen në kafenetë e ndryshme.
Pos gjërave të mrekullueshme që mund të zhvillohen në Prishtinë, në artikull diskutohet edhe rreth valutës, gjuhëve, kulturës e shumë gjëra të tjera.
Independent njofton lexuesit e saj se nëse vizitojnë Prishtinën duhet të përdorin Euron. Po ashtu, tregon se në këtë vend fliten tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht.
Ndërsa si pamjen më të mirë të qytetit, gazeta e ka konsideruar Katedralen Nënë Tereza.
Mirëpo, pos këtyre flitet edhe për përshëndetjet e shqiptarëve.
“Përshëndetjet e shqiptarëve janë shumë të gjata. Ata të pyesin për shëndetin tuaj, familjen dhe se a jeni të lodhur”, shkruhet ndër të tjera.