India evakuon miliona njerëz në prag të një cikloni

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Në Indi ka nisur evakuimi i miliona njerëzve nga bregu i saj lindor, i cili pritet të goditet nga një ciklon i njohur me emrin Amphan.

Stuhia pritet të zbarkojë të mërkurën në shtetet Bengali Perëndimor dhe Orisa, ndërkaq, mbi 20 ekipe shpëtimi janë shpërndarë nëpër terren dhe disa të tjera janë në gjendje gatishmërie.

Siç njoftuan autoritetet, kjo stuhi e fuqishme vjen në kohën kur dhjetëra-mijëra njerëz kanë migruar nga qytetet e Indisë në fshatra, për shkak të masave të izolimit nga koronavirusi.

Zyrtarët shtetërorë njoftuan se po përpiqen të gjejnë strehimore për të evakuuarit.

Në Orisa, 250 nga më shumë se 800 strehimore ekzistuese janë duke u përdorur si qendra karantine.

Siç njoftoi Aljazeera e BBC, kjo do të jetë stuhia e parë e fuqishme që godet Gjirin e Bengalit që nga cikloni i vitit 1999 në brigjet e Orisës, i cili ka lënë mbi 9,000 njerëz të vdekur.

Të ngjashme