Indikatorët socio-ekonomikë dhe politikë janë të tmerrshëm, por opozita është e shkapërderdhur

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 08:59 | Nga Shenoll Muharremi

Me mbi 700,000 persona të moshës së punës të papunë, deficit tregtar mbi -50% të GDP, rritje çmimesh në disa produkte deri 150%, rënie ekonomike nga 16.32% në 2.02% e 100,000 kosovarë të larguar nga vendi vetëm për dy vite… dhe kjo opozitë nuk po mundet me ba asgjë. Izolimi i Kosovës është më i thelli që një çerek shekulli, qeveria është në hasmëri me SHBA-në e BE-në, nxënësit janë pa libra në shkolla e në ordinanca po na vdesin njerëzit kur shkojnë me kuru dhëmbin…

Kjo opozitë nuk po mundet me ba asgjë në këto kushte. Me një shoqëri shumë të lodhur nga inflacion astronomik e rritje të pagave mesatare vetëm 14 euro në vit apo vetëm 98 euro për 10 vite e ku kosto e jetës është rritur ndoshta 25x më shumë, opozita nuk mundet me bë asgjë. Pse?

Sepse është e shkapërderdhur. Nuk ka kauza. Nuk punon sa duhet për njerëzit dhe bizneset e vendit, ndoshta për vete po. Dhe nuk i përcjellë brengat e njerëzve e bizneseve se ata po thonë ‘na myti inflacioni (68%), e nuk po kemi punë (55%)’. Kur bënë diçka opozita, e bënë për vete kryesisht, me u duk partia mirë. Nuk kordinohen mes vete, janë pikë e pesë.

Me këtë çasje e veprime Albin Kurti m esiguri do të fitojë më shumë se dy partitë më të mëdha opozitare bashkë. Ndoshta edhe AAK mundemi me përfshi, prapë VV mundet me fitu më shumë vota momentalisht sesa tri partitë opozitare. Në këto kushte socio-ekonomike, politike dhe diplomatike është absurditet i kohës me pas përkrahje kaq të madhe relative karshi opozitës.

Ka vetëm një arsye: Opozita nuk po e bën punë si duhet. Ashtu po thotë populli. Ata nuk po besojnë që ka një zgjidhje dhe opsion tjetër pos Albin Kurtit – sado i papërshtatshëm. Ndryshe nuk shpjegohet, se indikatorët socio-ekonomikë dhe politikë janë të tmerrshëm. Për më tepër, më keq se kaq nuk do të bëhet (shpresojmë). Andaj, ne jemi në pikun apo kulmin e qeversisjes së dobët dhe orientimit dhe drejtimit negativ politik dhe ekonomik të vendit. Nëse në këto kushte e gjendje nuk mundet opozita me bë më shumë, në çfare mundet atëherë?

Përderisa opozita është e shkapërderdhur dhe nuk bashkëpunon mes vete, kështu do të mbesin gjërat. Ironia e Albin Kurtit që ‘nuk shkojmë në zgjedhje të parakohshme se mundemi me shkatërru opozitën’ mundet me qenë gjysmë e vërtetë. Nuk e shkatërron por e fiton. Me këtë tempo, çasje e veprim i fiton dy partitë opozitare e ndoshta edhe trijat bashkë vetëm.

Të ngjashme