Indonezia ndalon përdorimin e Boeing 737 Max 8 pas aksidentit në Etiopi

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Indonezia përkohësisht ndaloi udhëtimet e avionit Boeing 737 Max 8, duke cituar si arsye aksidentin në muajin tetor me avion në vend dhe atë në Etiopi, që të dy me avionë të modelit të njëjtë.

Indonezia ka vendosur të ndalojë përdorimin e avionit të tipit Boeing 737 Max 8 pas aksidentit të djeshëm ajror në Etiopi në të cilin jetën humbën 157 persona.

Polana B. Pramesti, drejtorja e përgjithshme e Transportit Ajror pranë Ministrisë së Transportit të Indonezisë, njoftoi se vendi përkohësisht do të ndalojë udhëtimet e avionit Boeing 737 Max 8, duke cituar si arsye aksidentin në muajin tetor me avion në vend dhe atë në Etiopi, që të dy me avionë të modelit të njëjtë.

Pramesti tha se një masë e tillë është zbatuar për të garantuar sigurinë e fluturimeve ndërsa shtoi se ekspertët do të bëjnë inspektimet e nevojshme në lidhje me përdorimin e këtyre avionëve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, kompania Lion Air operon dhjetë avionë të tillë ndërsa linja ajrore shtetërore Garuda një.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Arrmanatha Nasir, bëri të ditur se njëri nga 157 pasagjerët e vdekur ishte shtetas i Indonezisë, që punonte në Programin Botëror të Ushqimit (WFP) të Kombeve të Bashkuara.

Pas aksidentit, përdorimi i avionëve të tipit 737 Max 8 më herët u ndalua përkohësisht edhe nga Kina dhe Etiopia.

Avioni me 157 pasagjerë i Ethiopian Airlines në bord u rrëzua gjashtë minuta pas ngritjes nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Ababa, në drejtim të kryeqytetit të Kenias, Nairobi, ndërsa asnjëri prej personave në avion nuk mbijetoi.

Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme