Me moton “Koha është jetë”, ka filluar punimet Kongresi i parë ndërkombëtar për trajtimin e hershëm të infarktit të miokardit.
Në këtë kongres u bë e ditur se në QKUK nga janari e deri më sot janë trajtuar 967 pacientë me diagnozën e infarktit të miokardit, ndërsa u tha se kjo sëmundje është ndër më vdekjeprurëse, e cila po sfidon mjekësinë moderne
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se kjo konferencë ka rëndësinë e vet dhe është e para e cila bëhet pas një rrugëtimi të gjatë.
Ndërsa bëri të ditur se brenda një viti realizohen rreth 3 mijë e 500 qind procedura ivazive.
“Vitin e kaluar 2500 procedura ne kardiologjinë invazive dhe ky vit na gjen me 3500 procedura invazive. Krejt kjo falë punës se ekipes e cila në kohë shumë te vështira me një punë të shkëlqyer dhe të suksesshme të jetë në dobi te gjithë pacienteve. Mund të themi se jemi në rrugë të mbarë që në Kosove pacientët të trajtohen në mënyrë moderne pra stentim në dy orët e para“, tha ai.
Drejtori Sejdiu rikujtoi se në vitin 2003 ishte kryer koronarografia e parë nga ekip vendor, pjesë e së cilës ishte edhe ai, kurse për shkak të pengesave që kishin, tek më 2010 kishin vendosur stentin e parë në QKUK.
Tefik Bekteshi, kardiolog, dhe drejtor i klinikës se Kardilogjisë Invazive, tha se nuk qëndrojnë keq sa i përket trajtimit të miokardit
“Kjo është konferenca e parë ndërkombëtare, kemi kolegë që kanë ardh të tregojnë eksperiencat e veta nga Sllovenia dhe Maqedonia. Ne nuk jemi keq sa i përket trajtimit të infarktit të miokardit në dy orët e para. Vitin e kaluar kemi filluar të kujdestarojmë të jemi prezent dhe gjithë pacientët qe kanë pasur infarkt miokard ekipa ka qenë e gatshme“, tha ai
Bekteshi theksoi se sot mënyra më e mirë e trajtimit të infarktit të miokardit është PCI.
“Kjo do të thotë se bëhet intervenimi përmes një shpimi në lëkurë, vije deri në nivel të zemrës me mjete të ndryshme dhe rekanalizohet arteria e cila fillimisht është mbyllur dhe është fajtore e infarktit të miokardit i cili është prej sëmundjeve më vdekjeprurëse, qe është një sfidë e madhe e mjekësisë moderne”, tha Bekteshi.
Bekteshi tha se vdekshmëria e infarktit të miokardit përpara ka qenë mbi 30 për qind, duke shtuar se janë krahas botës perëndimore sa i përket vdekshmërisë e trajtimit të infarktit të miokardit.
“Kemi fillua projektin së pari në Prishtinë dhe mendojmë dy vitet e ardhshme qe projekti të shkojë në tërë Kosovën që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë qe brenda dy orëve te vijnë në QKUK apo në të ardhmen edhe në qendra tjera, Prizren ndoshta edhe Pejë”, tha ai.
Sipas tij në QKUK nga janari e deri më sot janë trajtuar 967 pacientë me diagnozën e infarktit të miokardit.
“Këtu duam të bëjmë përmirësime, arsyeja qe ne kemi diagnozën e infarktit akut të miokardit dhe ideale kish me qen që ata njerëz të trajtohen brenda dy orëve dhe projekti është të luftohet për ketë kohen e artë me te cilën mund te ndihmojmë jo vetëm të zvogëlojmë vdekshmërinë por të lëmë miokardin zemrën plotësisht të shëndoshë”, tha ai duke shtuar se shumica e njerëzve kanë ardhur disa orë me vonese
Në këtë konferencë kishte pjesëmarrës nga Sllovenia dhe Maqedonia ku treguan përvojat e tyre.
Infarkti i miokardit konsiderohet si sëmundja e parë në listën e sëmundjeve që paraqesin rrezikshmëri.
Infarkti trajtohet në çdo kohë në klinikën e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë invazive në QKUK.
Ndonëse në këtë ngjarje ishte i ftuar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ai nuk ishte i pranishëm.