Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë është vështirë të bëhet parashikim për valët e reja të Covid-19, por klinika është e gatshme çdo herë për ofrimin e shërbimeve.
Megjithatë, doktor Vishaj foli edhe për pasojat afatgjate duke shtuar se pacientët kanë manifestuar formën më të rëndë në mushkëri.
“Këtë valë nuk e kemi pasur shumë të ashpër. Tash valët që vijnë në vijim varet prej situatës se si do të zhvillohet. Sigurisht se është vështirë të bëhet një parashikim. Por gjithsesi ne jemi të gatshëm për çdo valë që vjen të ofrojmë shërbime”.
“Pasojat afatgjatë varësisht prej formës që ka manifestuar pacienti. Kemi pacientë që ka manifestuar formë shumë të rëndë në dëmtim të mushkërive dhe këta në të ardhmen mund të zhvillojnë shkallë të dëmtimit të mushkërive, fibroza ose kemi pacientë që kanë pasur dëmtim të enëve gjakut dhe janë detyruar të amputohet këmba”.
“Për momentin pasojat afatgjatë të Covidit në përgjithësi ekzistojnë dhe ato janë të pranishme në mesin e pacientëve tanë. Se kur do të kalojmë këtë gjendje është vështirë të japim prognozë por sido që të jetë duket që valët me ngadalë po janë me një ashpërsi më të vogël dhe po është më e lehtë të menaxhohen valët që i kemi pasur”, tha Vishaj.
Ndërsa për linë e majmunëve, Vishaj tha se nuk kanë të dyshuar me këtë rast, ani pse e ka përfshirë tërë rajonin, raporton EO.
“Për momentin nuk kemi rast të dyshuar sa i përket lisë së majmunëve. Është e vërtetë se edhe në rajon ka pacientë më këtë sëmundje por jemi duke e përcjell edhe këtë situatë dhe nëse vjen jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimin e duhur”, tha ai.