Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar për COVID-19, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë për shkak të mosvazhdimit të kontratave, raporton Ekonomia Online.
Protesta nuk zgjati më shumë se gjysmë orë, teksa një e tillë u paralajmërua edhe në ditët në vijim.
Bekim Ahmeti inspektor sanitar i angazhuar në luftën kundër pandemisë Covid-19, tha se që nga 15 qershori janë papunë.
“Kemi dal këtu së bashku me stafin mbështetës dhe infermierët në përfaqësim të 1270 punëtorëve që kemi qenë të angazhuar në luftën anti-covid dhe prej një qershor kemi mbet pa kontrata të vazhduara. Ne si inspektorat sanitar kemi pasur edhe takime me nivelet më të larta qeveritare por ende nuk kemi ndonjë përgjigje çka do të bëhet. Jemi 1270 staf mbështetës në luftën kundër Covid-19. Inspeksionet e Kosovës e kanë për detyrë ta ruajmë shëndetin publik andaj duhet të na ruajnë ne. Ne sot në vend se të punojmë për ruajtjen e shëndetit publik jemi duke protestuar”, tha ai.
“Infermierët janë në pozitë vetëm me ik jashtë vendit. Janë duke u kërkuar punë në Gjermani e krejt Evropën. Ne jemi 125 inspektor. Vetëm 12 inspektor i ka AUV-i që i këqyrin të gjitha masat tash ndërsa 125 po mbetën pa kontrata”, tha Ahmeti.
E Arbenita Gashi infermiere e pranuar gjatë pandemisë, kërkoi që kontratat të vazhdohen, në të kundërtën do të kërkojnë punë jashtë Kosovës.
“Kemi dal në protestë për arsye se na u kanë ndërpre kontratat me 15 qershor dhe kemi dal që të merret vendim që këto kontrata të kthehen në mënyrë të rregullt sepse shëndetësia ka nevojë për ne dhe më së shumti mungesën tonë po e vuan pacienti. E lus kryeministrin që këto kontrata të vazhdohen dhe të bëhen të rregullta, mos të na i hapin dyert drejt perëndimit. Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, vetmja zgjidhje është që ne të shkojmë drejtë perëndimit në atë vend ku na vlerësohen kërkesat”, tha ajo.
Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në komisionin e javës së kaluar u shpreh se do të takohen me akterët, qeverinë dhe Ministrinë e Financave, për të parë saktë se sa lejojnë mundësitë ligjore punësimin e tyre.