Infermierët – kontribues në ruajtjen e shëndetit publik, u premtohen kushte më të mira të punës

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 10:15 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, Kolegji “Heimerer” dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Infermierisë me temë: “ Infermieria zëri që udhëheq: Shëndeti është e drejtë njerëzore”.

Petrit Beqiri, president i konferencës, tha se sistemi shëndetësor i Kosovës, duke mos përjashtuar edhe sistemet në botë, sipas tij, kanë dy probleme: financimi i sistemit shëndetësor dhe qasja në shërbime që ky sistem ofron, raporton Ekonomia Online.

“Sistemi shëndetësor i yni dhe të gjitha sistemet shëndetësore në botë ballafaqohen me dy sfida kryesore: financimi i sistemit shëndetësor dhe qasja në shërbime që ky sistem ofron”.

“Këto dy sfida duket të jenë të përbashkëta për të gjitha sistemet shëndetësore, qoftë për vendet e zhvilluara në zhvillim dhe të varfëra, këto kanë një emërues të përbashkët: ofrimin e shërbimeve shëndetësore të cilat janë një e drejtë themelore bazike e njeriut që të ketë qasje në shërbime kualitative shëndetësore”, ka thënë Beqiri.

Zv.ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, tha se infermierët japin një kontribut në ruajtjen e shëndetit publik, raporton EO.

“Kujdesi i infermierëve është një art dhe kërkon përkushtim të plotë dhe përgatitje profesionale. Si ndër profesionet më të kërkuara në tërë botën, infermieria po ka një zhvillim në të gjithë botën”.

“Infermierët japin një kontribut në ruajtjen e shëndetit publik. Niveli i arsimit të tyre ndikon në performancën e infermierëve. MAShT është e angazhuar të ofrojë kushte për shkollimin e infermierëve”, ka thënë Sahiti.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, u zotua para infermierëve se si deputete e Kuvendit do të mundohet t’i adresojë kërkesat e tyre për kushte më të mira të punës për ta.

“Si deputete jam munduar disa herë per kushtet e punës tuaj, për mundësitë që ju keni, për nevojat që ju keni, për të ngritur zërin në Kuvendin e Kosovës. Zotohem paa juve që si Kuvend, si deputete e Kuvendit do mundohem që në mënyrën më të mirë të mundshme t’i adresojë kërkesat e juaja, ju bëra  thirrje që të bashkëpunoni më shumë me neve si deputetë”, ka thënë Musliu.

Enkelejd Mëhilli, zv.rektor për Zhvillim Institucional dhe Komunikim në Vlorë, tha se kjo konferencë përveç që shërben për shkëmbim përvojash, synon edhe lidhjen e urave të bashkëpunimit mes dy shteteve, raporton EO.

“ Kjo konferencë na jep mundësinë të lidhim ura bashkëpunimi për të ardhmen. Roli i infermierit është i rëndësishëm, infermierët janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor, pa infermierë sistemi shëndetësor nuk mund të funksionojë dot”, ka thënë Mëhilli.

Të ngjashme