Infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë marshojnë për paga dinjitoze – Zhgënjimi dhe revolta është e madhe

Prishtinë | 01 Mar 2022 | 15:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, në bashkëpunim me shoqatat e tjera të profesionistëve shëndetësorë, kanë mbajtur protestën me moton “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit” për të kundërshtuar rangimin sa i përket koeficienteve në Ligjin e Pagave, raporton Ekonomia Online.

Marshi në këmbë ka nisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për të vazhduar deri para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Enlirat Duraku, nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, tha se pjesëmarrja kaq e madhe e punëtorëve shëndetësorë tregon zhgënjimin dhe revoltën e tyre me trajtimin nga Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore.

“Sot e realizuam marshin me moton ‘Paga dinjitoze, Jo diskriminimit’. Pjesëmarrja me numër kaq të madh e komunitetit të infermierëve është një indikator i një zhgënjimi dhe një revolte të skajshme të komunitetit lidhur me mënyrën e trajtimit nga institucionet shtetërore”, ka thënë Duraku.

“Është kërkuar nga ne që të përmbahemi nga veprimet sindikale sepse mund ta dëmtojmë procesin. Duhet të sqarohet njëherë se për cilin proces është fjala. A po e dëmtojnë procesin e ikjes së infermierëve nga Kosova? Apo po e dëmtojmë procesin e zhvlerësimit të devalvimit të profesionit? Po. Aty është edhe qëllimi. Sot ne kemi ardhur këtu me një kërkesë të përbashkët shumë të qartë: ‘Paga dinjitoze, Jo diskriminimit’”, ka thënë tutje Duraku.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Hasan Gashi, tha se kërkesa e tyre është që Ligji i Pagave të shkojë përpara drejt implementimit. Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave se kjo Odë po e ndalë këtë Ligj.  

“Ne si Odë i kemi përkrahur të gjitha kërkesat e infermierëve, mami dhe personalit tjetër shëndetësor. Dhe do t’i mbështesim të gjitha kërkesat, të cilat janë kërkesa të drejta. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë as më pak, por që ligji të shkojë më tutje. Sepse ka fjalë që ne jemi ata që po e ndalim ligjin. Ne nuk jemi ata që e ndalim ligjin. Ne kemi dëshirë që ligji të shkojë, por të shkojë në mënyrë të barabartë. Pagë e njëjtë për punë të njëjta”.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të dëgjojnë kërkesat e infermierët, të cilët qe dy vjet përballen me pandeminë, duke rrezikuar dhe jetën e vet dhe të familjarëve. Dhe kërkesë e tyre është vetëm ta kenë një pagë të dinjitetshme.

Të ngjashme