Inovacioni, faktor kyç në rritjen e zhvillimit ekonomik

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 12:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar tryezën me temë “Inovacioni dhe Rritja Ekonomike”, në të cilën u prezantua anketimi i bërë me biznese nga OEAK për inovacionin.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, e theksoi si të domosdoshme krijimin e ministrisë së inovacionit në Kosovë.

Ai gjithashtu paraqiti pesë faktorët e brendshëm që mund të zhvillojnë teknologjinë informative në Kosovë (TIK).

“Pesë faktorët të cilët mund të zhvillojnë TIK-un në Kosovë: E para është se 34 për qind e qytetarëve të Kosovës janë nën moshën 18 vjeçar. Kjo moshë gjithashtu është lehtë e adoptueshme në IT. Pika dytë, e cila ndërlidhet me këtë të fundit është adoptueshmëria në teknologji të informacionit, pika tjetër është njohja e gjuhëve të huaj e që si të domosdoshme janë gjuha angleze dhe gjuha gjermane. Pika e katërt është ajo që na sollën edhe rezultatet e PISA-së, është se nuk ka nevojë për shkollim konvencional dhe nuk është e nevojshme të ndjekësh ligjëratat dhe të kesh tituj me grada, por ta kthejmë në diçka që sot më shpejt arrihet tek rezultati pa pasur nevojë me qenë titull master, mjafton të kesh kreativitet, dije dhe guxim. Dhe pika e pestë, por jo më pak e veçanta është se nuk ka nevojë të kemi leje të veçanta por ajo që ka barriera tek ne është liberalizimi i vizave”, ka thënë Stavileci.

Era Jashari, zyrtare për marrëdhënie me Qeverinë, ka thënë se inovacioni sjell rritje ekonomike dhe siguron vende të reja të punës.

“Inovacioni po bazohet në ekonomi e kjo nuk do të thotë që inovacioni ka prurje të reja. Inovacion do të thotë proces i ri diçka qe e lehtëson punën, sepse ai sjell rritje ekonomike, vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik. Kosova nuk ka politika të inovacionit. Ne kemi Strategjinë për Teknologjinë e Informacionit e përpiluar nga Ministria e zhvillimit ekonomik në mbështetje me agjencinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtare dhe Ministrinë Norvegjeze për pune të jashtme “, ka thënë Jashari.

Në këtë diskutim rreth inovacionit, Vanesa Gashi, nga Oda Ekonomike Amerikane ka prezantuar anketimin e bizneseve të cilat janë pjesë e OEAK-së.

Sipas këtij anketimi 67% e bizneseve janë të vetëdijshme për të mirat që i sjell inovacioni në drejtim të zhvillimit të bizneseve të tyre dhe vetëm 52% prej këtyre bizneseve kanë buxhet të ndarë që e konsiderojnë si të mjaftueshëm për të investuar në inovacion.

Arben Ymeraga, nga kompania anëtare e Odës Amerikane, “Melita & Partners”, tha se mbështetja institucionale dhe promovimi i inovacionit janë të rëndësishme për rritjen e biznesit, duke theksuar se angazhimi i qeverisë është i domosdoshëm në këtë aspekt.

Drenusha Shala, themeluese e kompanisë “Baruti”, diskutoi rreth rëndësisë së zhvillimit të inovacionit në Kosovë dhe përvojës së saj si ndërmarrëse. Ajo theksoi se edhepse në Kosovë ka vende të lira të punës, mungesa e njerëzve të kualifikuar profesionalisht paraqet problem kyç në punësim.

Ndërsa, Rron Cena, njëri ndër themeluesit e kompanisë “Formon”, vlerësoi se baza themelore e zhvillimit të inovacionit në vend është edukimi dhe aftësimi profesional, në mënyrë që këto aftësi të përmbushin kërkesat e tregut.

Të ngjashme