Ekipi negociator i Kosovës për dialog me Serbinë, i kryesuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, ka zhvilluar takimin e parë me shefen për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini.
Pas takimit Limaj e Ahmeti përsëritën edhe një herë se edhe pas kërkesës së Mogherinit që taksa prej 100% duhet të hiqet, pala kosovare ka qenë e qartë se ajo mbete në fuqi deri në njohjen nga shteti fqinj.
Për vazhdën e këtyre takimeve, njohësi i çështjeve politike, Taulant Kryeziu, i tha Ekonomia Online se ky proces nuk ka filluar si duhet pasi që sipas tij, me mungesën e 50 deputetëve shqiptarë që nuk janë pjesë e këtij procesi është vështirë të përmbyllet ky proces.
Sipas Kryeziut ky takim do duhet të kishte një konsensus më të gjerë politik, ekipi i cili është thirrur për të dialoguar dhe mandatuar fazën përmbyllëse me Serbinë duhet të kishte një mbështetje më të gjerë.
“Në aspektin juridik të këtij procesi, në aspektin e legjitimitetit të atyre që përfaqësojnë këtë proces, me temën në të cilën diskutohet në Bruksel, e kjo ka të bëjë me përfundimin e raportit tonë me Serbinë, do të kërkonte një konsensus shumë më të gjerë politik dhe jo vetëm, dhe kjo nënkupton një konsensus të tërë të shoqërisë kosovare sa i përket kësaj teme”.
“Me mungesën e 50 deputetëve shqiptarë që nuk janë pjesë e këtij procesi është vështirë të paramendohet se mund të përmbyllet një raport me një vend armiqësor, i cili çdo ditë e sfidon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës, me një vend të cilin ke pasë një armiqësi shekullore, me një vend që kur të arrihet kjo marrëveshje në të duhet të shkruhen shkronjat e historisë dhe t’i të pretendosh ta përfundosh këtë raport pa pasur në konsensus të gjerë të partive politike, është vështirë e paramendueshme. Ky proces, për momentin, nuk ka legjitimitet dhe legalitet”.
“Temat me të cilat do të dialogohen me Serbinë gjithmonë prekin rendin kushtetues dhe çështje që kanë të bëjmë me sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës dhe forma se si dialogojmë me ta duhet të përcaktohet nga Kuvendi i Kosovës, i cili është i thirrur për ta formuar dhe mandatuar ekipin i cili do të dialogojë fazën përmbyllëse me Serbinë, por kjo duhet të ketë një mbështetje më të gjerë”, tha Kryeziu.
Ndërsa pas qëndrimit të presidentit Hashim Thaçi për heqjen e barrierave tarifore ndaj shtetit serb, Kryeziu tha se kjo çështje i takon vetëm Qeverisë së Kosovës, pasi ka qenë vendimmarrje e tyre.
Për presionin faktorëve ndërkombëtarë për heqjen e taksës, Kryeziu tha se ky është një skenar për ta izoluar komplet Republikën e Kosovës, e gjithë kjo sipas Kryeziut e ka zanafillë te mosanëtarësimi në Interpol dhe se insistimi i BE-së për heqjen e taksës mund të konsiderohet skenar për izolimin e Kosovës.
“Çështja e vendimmarrjes së taksës është çështje që i ka taku Qeverisë së Kosovës dhe ata e kanë marrë, në kuptimin politik kjo ka pasë pas pamundësimit tonë që të jemi pjesë e Interpolit dhe kjo ka krijuar ka krijuar një situatë të izolimit komplet të vendit tonë”.
“BE thirret në marrëveshjen CEFTA, prandaj diskutimet tjera janë diskutime politike, por tendenca po shihet që është me e izoluar Kosovën dhe për të krijuar një momentum që palët të ulen në tryezë, e gjitha kjo është një skenarë që ka zanafillën prej Interpolit e këtej, dhe shikoni se si Serbia është e qetë, sepse ajo e di se cili është skenari mbi të cilin po luhet”.
Mundësinë e diskutimit për shkëmbim territoresh, sipas Kryeziut, rezoluta e PSD-së nuk e ndalon assesi.
“Po shihet që këta e kanë përcaktuar këtë pjesë të ekipit si një pjesë teknike, ndërsa dialogu i nivelit politik do të zhvillohet mes dy presidentëve. Po i kthehemi rezolutës së PSD-së, në të shoh disa probleme, në të shoh problemin e legjitimitetit në kuptimin e votave, ajo është një rezolutë që nuk ka një fuqi juridike të detyrueshme dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të kushtetueshmërisë. Rezoluta e PSD-së që ka kaluar nga kuvendi i Kosovës nuk parandalon mundësinë që territori të jetë objekt diskutimi”.
Kryeziu, po ashtu, tha se çdo gjë që prekë në elementet e shtetësisë së Kosovës, është e rrezikshme edhe për rajonin, raporton Ekonomia Online.
“Do ishte gabimi ynë më i madh që çfarëdo marrëveshje e jona me Serbinë të kishte bazë territoriale. Nuk guxojmë të rrëshqasim në atë që Serbia të jetë përcaktues i shtetësisë së Kosovës. Çdo gjë tjetër që prek në elementet e shtetësisë do jetë i rrezikshëm dhe mund të ketë pasoja, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, tha Kryeziu.