Inspektorati i Punës refuzon ankesën e Sindikatës së Postës, e shpall veten jokompetent për rastin

Prishtinë | 20 Dhj 2022 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i Punës e ka refuzuar ankesën e Sindikatës së Postës së Kosovës, e cila e kishte ushtruar ndaj U.D. Kryeshefes Ekzekutive të Postës, Fakete Kadiu, me arsyetimin se nuk janë kompetent për këtë çështje.

U.D. e Kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ia kishte bllokuar e-mailin sindikatës për shkak se këta të fundit ishin ankuar ndaj Drejtoreshës së Operativës, Saranda Ademit.

Në vendimin e siguruar nga Demokracia.com thuhet se Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë për shqyrtimin në procedurën administrative, sipas kërkesës së palës Shoqata Sindikale e Postës nr. Prot. 873/22, dr. 22.11.2022, përkitazi me çështjen e shqyrtimit të ankesës lidhur me pretendimet për ndërhyrje dhe kërcenim nga U.D. Kryeshefja Ekzekutive.

“Ankesa duhet t’i dërgohet për shqyrtim organit kompetent”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

“Në ankesën e saj pala ankuese pretendon se U.D. Kryeshefja Ekzekutive e Ndërmarrjes Publike, Posta e Kosovës, në mënyrë arbitrare dhe kundërligjshëm ka vendosur që menjëherë të ndërpresë qasjen për komunikim përmes e-mailit të Shoqatës Sindikale Posta. Sipas shoqatës sindikale, U.D. Kryeshefja këtë vendim e ka ndërmarrë si kërcenim ndaj SHSP-së pas një shqetësimi të ngritur nga SHSP të Kryetarit të Bordit të PK-së rreth keqmenaxhimit dhe shkeljet arbitrare të drejtave dhe mirëqenies së punëtorëve siç pretendon sindikata”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Kurse, më 25 tetor të vitit 2022, Sindikata e Postës së Kosovës ishte ankuar për U. D. Drejtoreshën e Operativës, Saranda Ademin, për presion në punë.

Sindikata përmes një e-maili që e ka siguruar Demokracia.com, i ishte drejtuar menaxhmentit të Postës së Kosovës, duke i kërkuar të ndërmarrë masa ndaj Saranda Ademit.

“Presion intensiv, të pajustifikueshëm dhe autokratik tek punëtorët. Ky presion shfaqet në formë të kërkesave të karakterit kritikues dhe kërcënues, kërkesave për raportime të panevojshëm vetëm me qëllim të pengimit në punë, gjë e cila tregon qartë edhe për mungesë të ideve dhe vizionit për menaxhim. Menaxhimi i punës me metoda ndëshkuese dhe diktatoriale. Kjo formë shprehet përmes mospërfilljes së kërkesave dhe propozimeve të punëtoreve për përmirësimin e kushteve të punës, refuzimin nga ajo të të gjitha ideve kreative dhe udhëheqjen nga inatet dhe imponimet që të zbatohen vetëm urdhrat e saj. Për më tepër, stili i saj i menaxhimit udhëhiqet nga pengimi i punës në grup, dekurajim dhe demotivim i punëtorëve me çka edhe e pengon performancën pozitive të ndërmarrjes. Menaxhimi me standarde të dyfishta. Sa për ilustrim, ajo gjithmonë e arsyeton mos punën në regjionin e Prishtinës, ku edhe vetë ishte pjesë, duke dhënë vlerësime pozitive dhe mirënjohje pa u mbështetur në tregues krahasimor në raport me regjionet tjera apo edhe në analiza për të arritura. Meqenëse këto shqetësime ndahen me ne çdo ditë nga punëtorët dhe shpërfaqin një dukuri sa negative aq edhe të dëmshme për mirëqenien e punëtoreve dhe rezultatet në punë, ne krijojmë që të ndërmerrni të gjitha veprimet ligjore brenda mandatit tuaj dhe të vendosni rend dhe ligj në menaxhimin e ndërmarrjes”, thuhej tutje në e-mailin që e kishte siguruar nga Demokracia.com.

Të ngjashme