Inspektorati i Tregut mbyll 26 sallone të masazheve dhe klube

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit të Tregut, nga data 10-14 maj 2023, ka inspektuar 66 operatorë ekonomikë që ushtrojnë veprimtarinë e mirëmbajtjes trupore/sallonet e masazheve, klubet e natës/muzikë live dhe vallëzim, që operojnë në komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec.

Prej tyre 26 operatorë ekonomikë janë mbyllur përkohësisht për shkak se të njëjtit kanë ushtruar veprimtarinë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, ndaj 12 operatorëve ekonomikë janë shqiptuar gjoba ndëshkuese, për shkeljet e konstatuara të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe bazuar në Kodin Penal të Kosovës ndaj 4 operatorëve ekonomikë janë deponuar kallëzime penale për heqje apo dëmtim të vulës zyrtare.

Inspektimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës/Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me Inspektoratin e Tregut, mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe drejt arritjes së këtij qëllimi aktivitetet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët dhe muajt në vijim.

Të ngjashme