Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka realizuar shumë aktivitete në fushën e bashkëpunimit me qytetarët, duke prezantuar para tyre rolin, misionin dhe fushë-veprimtarinë e saj.
Synimi i këtyre aktiviteteve ishte fuqizimi i bashkëpunimit me qytetarë por edhe i ngritjes së vizibilitetit të organizatës lidhur me fushë-veprimtarinë e IPK-së në përgjithësi dhe “Linjës së kaltër” në veçanti.
Një aktivitet i tillë është mbajtur sot me qytetarët e Zubin Potokut në ndërtesën e Kuvendit Komunal .
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Organizatën joqeveritare ACDC (Advocacy Center for Democratic Culture) me seli në Mitrovicën e Veriut dhe kishte për synim diskutimet e hapura me qytetarë për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor.
Përfaqësuesit nga IPK-ja (Divizioni për komunikim me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe Departamentet Operative) në këtë takim dhanë shpjegime për qytetarë lidhur me rolin e IPK-së, autorizimet ligjore si dhe projektit të regjionalizimit të IPK-së respektivisht hapjen e zyrave rajonale të IPK-së në Prizren, Gjilan dhe Mitrovicën e Veriut.
Vlen të theksohet se këto aktivitete janë përcjellë me interesim nga qytetarët e kësaj pjese ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së.