nspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njoftoi se sot ka zhvilluar sot “një aksion të gjerë inspektues” në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ata të Autoritetit të Konkurrencës.
“Qëllimi i këtij aksioni ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse. Veprimet kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, sigurimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve të mundshme në treg”.
Ministria tha se aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të datës 04.03.2026 të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi njëzet e pesë operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e produkteve të naftës për përdorim në transport.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka vepruar në koordinim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, me qëllim që çdo veprim të jetë i koordinuar dhe efektiv. Sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre, për të luftuar informalitetin dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare.
Ministria e Tregtisë tha se në çdo rast kur konstatohet shkelje e kërkesave ligjore, inspektorët do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
“Inspektorati dhe institucionet pjesëmarrëse planifikojnë të vazhdojnë me aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës”.