Organizata Syri i Vizionit, është jashtëzakonisht e shqetësuar lidhur me rastet e fundit të ngacmimeve seksuale ndaj vajzave të mitura. Këto raste dëshmojnë mungesën e mekanizmave të duhur, miqësorë dhe të besueshëm në institucione, e veçanërisht në shkolla që fëmijët/nxënësit të ndihen të sigurt për t’i raportuar me kohë rastet e ngacmimeve dhe dhunës ku ata janë viktima apo dëshmitarë të këtyre dukurive në shkolla dhe jashtë saj.
Besojmë se mos-raportimi dhe mungesa e kuadrove brenda shkollës për të punuar më shumë në parandalim të dhunës bën që rastet që ndodhin të mos trajtohen dhe raportohen me kohë dhe në pajtim me standardet e kërkuara. Për rrjedhojë, kjo sjell deri tek rritja e ngacmimeve ndërmjet bashkëmoshatarëve, ngacmime këto që përfundojnë në dhunë fizike, emocionale, psikologjike e seksuale, duke mos harruar edhe rastet e dhunës e ngacmimeve seksuale të cilat kanë ndodhur edhe nga ana e disa mësimdhënësve. Për fat të keq, për këto raste veprohet vetëm atëherë kur ato bëhen publike në media, qoftë përmes videove apo fotografive, me ç’rast fëmijët/të miturit përjetojnë dhunë për herë të dytë dhe shkatërrohet personaliteti i tyre nga ana e mediave të cilat jo rrallë shkelin etikën profesionale kur raportojnë për këto raste. Duke mos ruajtur konfidencialitetin e viktimës dhe abuzuesit, këto raportime nxisin frikë dhe shqetësim për të gjithë fëmijët dhe prindërit e atyre që vijojnë mësimin në atë institucion edukativo-arsimor dhe lehtë identifikohet viktima dhe abuzuesi, qoftë i mitur apo i rritur.
Rastet e ndodhura së fundmi duhet të trajtohen me urgjencë dhe seriozitet nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë si dhe institucioneve të tjera të cilat ofrojnë shërbime psikologjike, shëndetësore e rehabilituese. Mosfunksionimi i duhur dhe me kohë i këtyre institucioneve ndikon dhe le pasoja të pariparueshme për të miturit që kanë përjetuar dhunë dhe ngacmime seksuale dhe familjet e tyre. E, siç u dëshmua me rastin e fundit të vrasjes në qytetin e Pejës.
Institucionet qendrore duhet të hartojnë dhe bashkërendojnë politikat e tyre mbrojtëse për fëmijët duke krijuar mekanizma miqësorë dhe të besueshëm për raportim të dhunës, çfarëdo natyre qoftë ajo. Shkollat nuk duhet t’i “fshehin” rastet e dhunës dhe t’i minimizojnë ato, por të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe kërkojnë ndihmën edhe të institucioneve jashtëshkollore kur u mungojnë kapacitetet për t’i trajtuar këto raste. Ato duhet t’i raportojnë këto raste tek institucionet përgjegjëse, siç kërkohet me rregulloren “QRK-NR21/2013 për protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit para-universitar”.
Dy rastet e fundit duhet jenë një alarm për të gjitha institucionet të cilat merren me mbrojtjen e fëmijëve, ofrimin e shërbimeve dhe edukimin. Në bashkërendim me shkollat dhe akterët tjerë, Këshillin e Prindërve, organizatat vendore e ndërkombëtare, ato duhet të hartojnë politika praktike për parandalim dhe raportim të të gjitha llojeve të dhunës në shkollë e jashtë saj.
Organizata jonë është e gatshme të ofrojë tërë potencialin e saj profesional, njerëzor e logjistik dhe praktika e politika praktike të testuara e të krijuara në disa shkolla e komuna të Republikës së Kosovës tash e dhjetë vjet. Bazuar në këtë përvojë, rekomandojmë: